Shala nënshkruan vendimin për ndërtimin e zonës ekonomike në Rahovec

Sipas Rtklive, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në vazhdën e mbështetjes për bizneset e huaja dhe vendore, ka nënshkruar vendimin mbi dhënien e pëlqimit për themelimin e Zonës Ekonomike , respektivisht Parkut Industrial në Opterushë, Komuna e Rahovecit.

Ministri Shala theksoi se janë paraparë 34 hektarë ku do të vendosen bizneset e huaja dhe vendore, duke ndikuar në rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke krijuar mundësi për bizneset në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, duke ndërtuar zona ekonomike. Kjo zonë do t’iu shërbejë bizneseve që të kenë hapësira sa më të mira për ta ushtruar veprimtarinë dhe numri i të punësuarve parashihet të jetë rreth 600 persona”, tha Shala.

Reklama e sponzorizuar

Ai theksoi se roli i ministrisë është krijimi i kushteve sa më të mira për bizneset, duke punuar shumë në fuqizimin e tyre që të jenë konkurruese. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do ta financojë infrastrukturën e kësaj zone me rreth 3 milionë euro.

Ministria do të vazhdoj investimet nëpër komuna duke ndërtuar zona ekonomike dhe inkubatorë, duke bërë që Kosova të jetë vend atraktiv për të bërit biznes.