Para pak minutash ka përfunduar takimi në mes të mandatarit për kryeministër nga radhët e VV’së, Albin Kurti, me kreun e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe ish-ministrin për kthim, Dalibor Jevtic.
Kreu i Srpskas, Goran Rakiq, ka thënë se një takim i tillë do të duhej të kishte ndodhur më herët, ndërkohë ka theksuar edhe një herë që partia e tij nuk do të jetë pengesë për krijimin e qeverisë së re.
Në këtë takim dy përfaqësuesit e “Srpskas” i kanë kërkuar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje që të krijojë shumicën për themelimin e institucioneve të reja.
Në rast të rritjes së numrit të ministrive mbi 12, Lista Serbe kërkon dy ministri, meqë sipas tyre janë partia më e madhe minoritare.
Gjithashtu dy zyrtarët e lartë të kësaj partie kanë thënë se krijimi i qeverisë së re është i pamundur pa përfshirjen e Listës Serbe.
Ndërkohë pak minuta më parë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ftuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit me kërkesë të Albin Kurtit për të mbajtur seancën për krijimin e qeverisë.
Nuk dihet ende nëse Kurti edhe në seancën e kërkuar për krijimin e qeverisë do të shkojë pa një marrëveshje me LDK’në.
Presidenti Thaçi më 20 janar kishte mandatuar Kurtin, ndërkohë kanë mbetur edhe 4 ditë deri në skadimin e afatit Kushtetues prej 15 ditësh./