A do të bie borë në Kosovë në fillim të shkurtit?

Ditët e para të muajit shkurt fillojnë me mot të butë dhe të thatë. Javën e ardhshme i ftohti polar pritet të “marshojë” mbi rajonin tonë. Mundësi edhe për reshje bore.

Ditët e para të muajit shkurt do të dominohen nga fusha të presionit të lartë dhe masa të ngrohta ajrore që po depërtojnë nga Evropa Perëndimore. Do të mbajë mot i butë dhe pa të reshura, me temperatura ndjeshëm më të larta nga vlerat mesatare, bën të ditur Prishtina Weather.

Por, shërbimi i meteorologjisë njofton se “nga mbrëmja e së martës, një ciklon i fuqishëm nga Atlantiku Verior do të depërtojë deri mbi vendin tonë, që do të sjellë edhe reshje të borës, e nga verilindja e kontinentit, nga mesi i javës, do të shtrihen masa të ftohta polare, ndërsa temperaturat pësojnë rënie të theksuar deri në vlera negative. Pas këtyre javëve me mot të butë, më në fund arrin moti tipik dimëror”.

Reklama e sponzorizuar

Sipas PW, vlerat ditore të cilësisë së ajrit do të luhaten rreth vlerave mesatare, mirëpo gjatë ditës mund të zbresin edhe në të mira, e gjatë mbrëmjeve të kalojnë në të pashëndetshme.

Parashikimi për periudhën 1-5 shkurt:

1.02 – Në mëngjes ftohtë, vranësira kalimtare. Ditën mot i butë dhe kryesisht me diell.

2.02 – Në mëngjes ftohtë, e në vise të ulëta mundësi për mjegull. Ditën butë, me vranësira dhe intervale më të gjata me diell.

3.02 – Butë, kryesisht me vranësira, e gjatë ditës intervale me diell.

4.02-5.02 – Të martën butë, vranësira dhe intervale me diell. Në mbrëmje do të fryjë erë, priten reshje shiu, që më vonë do të shndërrohen në reshje bore. Ditën e mërkurë mot i ftohtë dhe me erë, kohë pas kohe me reshje bore. Nga Dukagjini gjatë ditës reshje të përziera shiu dhe bore.

Temperaturat minimale do të luhaten nga -2C deri +3C, e maksimalet nga 12C deri në 15C, ndërsa ditën e mërkurë minimale do të zbresin në 1C, e maksimale në 3C.

Do të fryjë erë e lehtë kryesisht nga jugperëndimi 1-3m/s. Ditën e martë dhe mërkurë do të fryjë erë mesatare dhe e fuqishme së pari nga jugperëndimi 6-25m/s, e më pas nga veriperëndimi 5-11m/s.

Shtypja atmosferike do të rritet mbi vlera normale, por me afrimin e ciklonit do të pësojë rënie të thellë nën këto vlera.