Zhduket gazetari kinez që raportonte vazhdimisht nga Wuhani për gjendjen reale nga koronavirusi

Gjatë javëve të fundit, gazetarët kinezë Chen Qiushi dhe Fang Bin, kanë shërbyer si sy dhe veshë të botës brenda epiqendrës së përhapjes së koronavirusit, në qytetin Wuhan. Duke u paraqitur direkt përmes telefonave mobilë, ata ofronin të dhëna se si është gjendja reale atje. Shumë prej atyre videove u postuan në Twitter dhe u ripostuan në YouTube.

E tani, njëri nga ta është zhdukur, raporton “Bloomberg”.

Që nga ora 19:00 e së enjtes, Cheni nuk dihet se ku është. E Fangu, i cili ishte i heshtur në pjesën më të madhe të së premtes derisa postoi një video në mbrëmje, më parë ishte ndaluar shkurtimisht nga autoritetet për videot e tij me kufomat në spital. Kur ai incizoi momentin dramatik kur njerëz me rroba anti-virus thyen derën e banesës së tij dhe e vendosën atë në karantinë, kjo gjë nxiti me qindra komente që kërkonin nga autoritetet ta lironin atë, transmeton Koha.net.

Reklama e sponzorizuar

Duke qenë se qeveria kineze i kontrollon skajshëm rrjetet sociale në vend, Twitter ka dalë të jetë destinacioni për banorët lokalë që kërkojnë informacione mbi përhapjen e virusit. Zyrtarisht është i ndaluar në vend, por shumë njerëz e tejkalojnë bllokadën dhe i qasen platformës përmes rrjeteve virtuale private.

“Shumë më shumë aktivitet ka në Twitter sesa në Weibo apo WeChat”, thotë Maya Wang, hulumtues i lartë kinez në “Human Rights Watch”.

Chen, që ishte një prej më të zëshmëve për këtë fatkeqësi, për shumë ndjekës të tij është bërë burim për fakte të vërteta rreth epidemisë. Banorët lokalë të Wuhanit kanë publikuar disa prej pamjeve më të tmerrshme të epidemisë, përfshirë fotografi të kufomave të patrajtuara, pakënaqësi mes pacientëve të karantinuar në spitale dhe polici që trokasin në dyer për të zbatuar censurën.

“Bloomberg News” nuk e ka verifikuar në mënyrë të pavarur autenticitetin e atyre videove.

Ndërkaq, siç raporton “MailOnline”, zhdukja e Qiushit vjen në kohën kur doktori hero 34 vjeçar kinez, Li Wenliang, i cili dha alarmin për koronavirusin, u shpall i vdekur pasi u tha se ishte prekur nga sëmundja teksa po i trajtonte pacientët në Spitalin Qendror të Wuhanit.

Nëna e tij ka postuar një video u bën thirrje për kthimin e tij të sigurt. Një mik i tij ka thënë për CNN: “Jemi të brengosur për sigurinë e tij fizike por edhe të brengosur se derisa është i zhdukur mund të infektohet me virusin”.