“Ndërkombëtarët po i frikësohen Bashkimit Kombëtar”

Përplasjet mes dy kryeministrave shqiptarë, që kulmuan me ngritje padie nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaj, atëherë kryeministër, Ramush Haradinajt, u duk sikur kishte destabilizuar marrëdhëniet mes dy shteteve.

Megjithatë, qeveria e re e koalicionit LV-LDK, thotë se përplasje të tilla individuale nuk kanë cënuar marrëdhëniet mes vendeve e që bashkëpunimi nuk do të ndërpritet për arsye të tilla.

Zëvendëskryeministri i porsazgjedhur i Kosovës, Haki Abazi, ka thënë për GazetaBlic, se vizitat në Shqipëri e Kosovë do të vazhdojnë, për çka do të rezultohet në punë të përbashkët, duke shtuar se “Do të kemi më pak takime, e më shumë punë të përbashkët”.

Reklama e sponzorizuar

“Vizita në Shqipëri e kryeministrit do të mbahet brenda kësaj jave dhe raporti ashtu siç është në kuadër të programit qeverisës, raporti me Republikën e Shqipërisë do të jetë një prej prioriteteve kryesore të bashkëpunimit. Ajo çka do të ndryshoj nga e kaluara është që do të ketë më pak takime, e më shumë punë të përbashkët”.

E, analisti politik, Ramush Tahiri, për GazetaBlic, ka thënë se përplasjet individuale të kryeministrave nuk kanë aspak ndikim negativ për Kosovën e Shqipërinë.

“Përplasjet individuale tregojnë karakterin e politikanit por nuk ndikojnë në marrëdhënie shtetërore. Qeveritë vazhdojnë sepse marrëveshjet janë marrëveshje, pritje protokolare jo të mira nuk ndodhë që me u anulu një vizitë, apo prishje mes vete për shkak të raporteve politike. Jo, ajo kohë nuk është”, ka thënë ai.

Për analistin Tahiri, jo përpasjet mes kryeministrave, por frika e ndërkombëtarëve për bashkim kombëtar, po e ndalon inicimin e shpejtë të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

“Bashkëpunimi mes dy shteteve, bashkësia ndërkombëtare gjithmonë e ka rrezikun që po bëhen bashkë Shqipëri e Kosovë dhe kjo destabilizon rajonin. Por janë të interesuar me pasë bashkëpunim, por jo më shumë se sa që ka Kosova bashkëpunim me Maqedoninë, për shkak se shumica e popullsisë në Shqipëri është shqiptare andej dhe shqiptare këndej dhe i frikësohen ndryshimit të kufijve”.

Që në vitin 2014, kur Qeveritë e dy shteteve kanë filluar mbajtjen e takimeve të përbashkëta, nga Tahiri po konsiderohet se nuk është arritur shumë punë, madje as 30 për qind e premtimeve që ishin dhënë nga të dy qeveritë.

“Nuk është bë mjaft, sepse nuk është realizu as 30 për qind e premtimeve që janë dhënë në takimet e përbashkëta dhe ku secila ministri e ka bë planin për bashkëpunim dhe integrim, duke përfshirë edhe diplomatikën, shërbimet e përbashkëta konsullore e diplomatike, kurrgjë nuk ka funksionu. Më shumë ka deklarative, sa herë vjen një qeveri premton, nuk kemi komisione të përbashkëta që janë taku asnjëherë, me e shiku zbatimin e secilës do marrëveshje, deri ku kanë shku”.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, nesër do ta zhvillojë vizitë në Tiranë, ku do të takohet me Ramën, Ruçin, Metën, Veliajn dhe Bashën