Bekim Jupa, i cili ka arritur të përfitojë vende pune në pozita të larta të institucioneve publike, njëkohësisht ka mbajtur miqësi të afërt me disa nga njerëzit më të pushtetshëm të Partisë Demokratike të Kosovës.
Një javë pas rënies së Qeverisë Haradinaj, ish-zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bekim Jupa, ka gjetur sërish një vend pune në institucionet publike.
Jupa, anëtari i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe mik i ish-ministrit të Inovacionit, Besim Beqajt, është shpërblyer me një pozitë të lartë në Administratën Tatimore të Kosovës.
Ish-zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, i cili kishte punuar edhe më parë në ATK si menaxher i lojërave të fatit, është emëruar shef i Divizionit të Hetimeve Tatimore me vendim të drejtorit Ilir Murtezaj.
Murtezaj ishte emëruar drejtor i ATK-së në muajin shkurt të vitit të kaluar me vendim të Bedri Hamzës, ish-ministrit të Financave.
Bekim Jupa, i cili ka arritur të fitojë vende pune në pozita të larta të institucioneve publike, njëkohësisht ka mbajtur miqësi të afërt me disa nga njerëzit më të pushtetshëm të Partisë Demokratike të Kosovës.
Pjesë e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë, ai ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së më 2013.
Në këtë komunë, Bekim Jupa ka krijuar afërsi me Artan Nimanin, anëtarin e PDK-së që ka miqësi me Rrahim Hashimin, të përfshir në aferën e fajdeve.
Nimani, i cili po ashtu është anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, ishte gjykuar si i akuzuar për tentim vrasje pasi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në vitin 2007.
Por rrjeti i miqësisë së Jupës me njerëz të dyshimtë të Partisë Demokratike të Kosovës është më i gjerë sesa kaq. Kalon në nivel qendror.
Bekim Jupa ka miqësi të ngushtë edhe me Elmi Reçicën, deputetin e PDK-së nga Ferizaj.
Në një postim në Facebook në janarin e këtij viti, shefi i ri i Hetimeve në ATK i referohet Reçicës si “mik” dhe i thur lavde veprimtarisë politike të njeriut të dytë të ShIK-ut.
Në pozitën e shefit të shef i Divizionit të Hetimeve Tatimore, Jupa do ta zëvendësojë ushtruesin e detyrës së kësaj pozite në ATK, Safet Krasniqin – të arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për evazion fiskal nga fshehja e fitimeve të bizneseve.
Krasniqi duke qenë ushtrues i detyrës së drejtorit të Njësisë së Hetimeve Tatimore dhe të Inteligjencës, dyshohet se kishte kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /Insajderi.com/