Nëse arrihet të shtrohet me asfalt traseja e kësaj magjistraleje shumë të rëndësishme për vendin deri në fund të vitit, sikundër që po parashihet, do të evitohej thuaja tërësisht tollovia dhe qarkullimi i rënduar i automjeteve në këtë magjistrale. Gjithsesi, për vitin e ardhshëm do të mbesin shumë punë për t’u kryer, si mburojat nga rrëshqitja e dherave dhe gurëve në disa pjesë të këtij segmenti rrugor, disa trotuare dhe më shumë punë do të mbetet për përfundimin e urave, që nuk janë pak.
Mehmet GJATA
Gjatësia e segmenteve të asfaltuara të zgjerimit të rrugës Prishtinë-Podujevë, projekt i filluar qysh në vitin 2015, me punime të nisura në vitin e kaluar në zgjerimin e segmentit të mbetur Lluzhan – Hyrja e Prishtinës, shtojnë optimizmin edhe të zyrtarëve, edhe të banorëve, se më në fund kjo magjistrale së shpejti do të bëhet normalisht e qarkullueshme.
Në gjithë segmentin e magjistrales Prishtinë deri në LLuzhan (segmenti Lluzhan – Podujevë ka përfunduar vite më parë), hiq pjesë në disa nyje ku edhe këtyre ditëve po punohet goxha me ritëm të shtuar, tashmë dominojnë gjatësitë e rrugës të asfaltuara, vende – vende në të dy trasetë (kahet), ndërsa në vende-vende, akoma vetëm një kah. Dhe, në bazë të punëve të realizuara tashmë, edhe punonjës të angazhuar në punimet e kësaj rruge, edhe inxhinierët, por edhe qytetarët, shpresojnë se deri në fund të këtij viti, traseja, e tëra, në tërë segmentin nga Prishtina deri në LLuzhan, do të asfaltohet.
Të gjithë bashkëbiseduesit e Buletinit Ekonomik, e shprehin këtë optimizëm, duke apostrofuar edhe frikën e motit, duke shpresuar se nuk do të keqësohet në përmasa për të qenë pengesë për punët e mbetura. Gjithsesi, për vitin e ardhshëm do të mbesin shumë punë për t’u kryer, si mburojat nga rrëshqitja e dherave dhe gurëve në disa pjesë të këtij segmenti rrugor, disa trotuare dhe punë më shumë do të ketë në përfundimin e urave, që nuk janë pak, por edhe disa finesave të tjera, të parapara, por edhe të paparashikuara me projekt. Por, nëse arrihet të shtrohen me asfalt trasetë e kësaj magjistraleje shumë të rëndësishme për vendin deri në fund të vitit, sikundër që po parashihet, do të evitohej thuaja tërësisht tollovia dhe qarkullimi i rënduar i automjeteve në këtë magjistrale.
Të përkujtojmë se afati dhe premtimi i autoriteteve të Kosovës, për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë ka qenë 365 ditë pune, që i bie se fundi i gushtit të sivjetshëm ishte afati për finalizimin e punimeve për zgjerimin e kësaj magjistraleje, i përcaktuar edhe në dosjen e tenderit, ndërsa punimet në këtë segment rrugor, siç dihet, kanë filluar me 3 korrik të vitit 2023.
Rekonstruktimi i segmentit Prishtinë- Lluzhan të kësaj magjistraleje në të pesë lotët e ndara me tenderë dhe nga 5 punëkryesit veç e veç, fitues të tenderit, ishte paraparë të ketë kosto rreth 37 milionë euro. Por, kjo shumë parash është tejkaluar për disa milionë euro, për shkak të punëve shtesë të paparashikuara në projekt. Bie fjala, për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, kohë më parë Ministria e Infrastrukturës, me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, ka dhënë një tender për punë shtesë. Punët shtesë është parashikuar të kryhen në Lotin 3, derisa vlera e kontratës është mbi 288 mijë euro. Punimet do t’i kryejë konsorciumi “Agbes Construksion shpk; Arbotec SH.P.K.; GEO CONSTRUCTION sh.p.k; MINERAL L.L.C.; BM Group SH.P.K.”.
Kontrata për punë shtesë janë dhënë edhe për lotet e tjera. Punët e domosdoshme shtesë, realisht kanë qenë të paparashikuara në projektin bazë. Kryeministri Kurti, në ceremoninë e inaugurimit të nisjes së punimeve në zgjerimin e pjesës së mbetur të magjistrales Prishtinë-Podujevë (nga hyrja në Prishtinë, më saktësisht nga Bërnica në Lluzhan, rreth 16 kilometra), në verën e vitit 2023, kishte deklaruar se rruga Prishtinë-Podujevë do të përfundojë për 365 ditë pune.
“15 km është gjatësia e rrugës të cilën po e zgjerojmë. Vlera e projektit është 35 milionë euro. Për 365 ditë pune do të përmbyllet pritja shumëvjeçare”, deklaroi Kurti në verën e vitit të klauar.
Ndërsa, edhe disa zyrtarë të tjerë u shprehën optimistë se këto punë do të finalizohen më 2024, duke theksuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për t’u përmbushur ky afat, janë siguruar mjetet e nevojshme nga Ministria e Infrastrukturës dhe janë bërë edhe shpronësimet për gjatë gjithë trasesë së magjistrales që do të zgjerohet. Ndërsa, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, me këtë rast ishte shprehur disi më i rezervuar, madje edhe skeptik se punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë do të përfundonin pas një viti, ani pse ashtu parashihej me kontratë. Ai kishte thënë se nga përvoja në të kaluarën, nuk pret që rruga të kryhet pas 365 ditësh.
“Nga përvoja e kaluar nuk pres që kryhet, por ne e kemi bërë mobilizimin maksimal për me arritë këtë datë pra që të përfundojë për 1 vit. Jemi duke luftuar për me arritë këtë datë. Por nuk i shti duart në zjarr që kryhet, sepse ne e kryejmë shpronësimin, e bëjmë mbikëqyrjen e krejt, por faktorët e paparashikushëm mund ta ndërrojnë atë 365-ditëshin”, kishte deklaruar Aliu në një intervistë për medie.
Njëri nga inxhinierët, specialist për ndërtimin e rrugëve, i angazhuar në realizimin e këtij projekti, dhe që do të mbetet anonim, i ka thënë Buletinit Ekonomik se punët rreth zgjerimit të magjistrales Prishtinë-Podujeve janë zhvilluar me hove. Herë – herë punëkryesit janë angazhuar më seriozisht, por në periudha jo të pakta, kanë neglizhuar punët duke punuar me kapacitete minimaliste dhe në këtë mënyrë kanë vonuar përmbushjen e objektivave ndërtimore. Tani, këto ditë, sipas tij, sërish janë gjallëruar punët në shumë segmente dhe kjo po vërehet. Megjithatë, në bazë të vëllimit të punëve të realizuara deri tash, ai vlerëson se deri në fund të këtij muaji, dhjetorit pra, ka gjasë të shtrohet me asfalt e tërë rruga, ndërsa, urat, shumë mure mbrojtëse, vende të caktura për trotuare, ndonjë rreth rrotullim dhe disa nyje të tjera më të ndërlikuara, do të mbetën patjetër që të punohen më 2025.
Sipas inxhinierit, faji për vonesa bie kryekëput te punëkryesit, të cilët, megjithë faktin se janë paguar tërësisht me rregull dhe sipas kontratave nga Qeveria, kanë neglizhuar në shumë periudha përmbushjen e objektivave të ndërtimit. Sipas tij, asnjëherë nuk ka dëgjuar ndonjë ankesë nga punëkryesit për vonesa të mjeteve financiare. Disa nga punëkryesit (zgjerimi i pjesës së rrugës Prishtinë – Podujevë është i ndarë në 5 lote dhe rrjedhimisht në to janë të angazhuar 5 punëkryes të ndryshëm), në raste, nuk janë treguar menaxhues të mirë të parasë së fituar, përkatësisht i kanë shpenzuar me t’i marrë ato nga punëdhënësi dhe pastaj kanë mbetur pa paratë e nevojshme për të vazhduar sipas dinamikave të planifikuara punët e mbetura. Por, te shumica e punëkryesve, sipas inxhinierit, janë evidentuar pasoja jo të pakta edhe nga e dhëna se ata në garën për të fituar me çdo kusht punën, tenderin pra, kanë konkurruar me çmime të ulëta, në raste edhe nën koston reale, dhe tani, në këtë fazë të punëve, të dëshpëruar, në ditë të shumta, kanë punuar sa për të thënë. Dhe këto janë pasoja reale, që domosdo ndikojnë në përmbushjen e afateve të përcaktuara nga kontrata.
“Nuk është se nuk po punohet, por edhe tani te disa kompani fituese të punëve, problem i veçantë dhe me ndikim në vonesa vazhdon të kenë punët shtesë të cilat nuk janë paraparë me projekt, por që ndërkohë janë paraqitur si të domosdoshme për t’i kryer në kuadër të projektit. Sipas tij, por edhe shumë qytetarëve të kësaj ane, nuk është e kuptueshme pse po vonohen punët në rreth rrotullimin te rruga për në Lupç dhe Majac, sikundër që janë të paarsyeshme vonesat e punëve te Kulina. Këto dy nyje, sot e kësaj dite paraqiten shkaktarët kryesor të krijimit të radhëve të gjata në trafik, tollovive të krijuara dhe pritjeve të stërgjata të automjeteve për t’i kaluar këto vende, ende pengesa reale për qarkullimin e automjeteve. Te disa nga punëkryesit, siç shihet edhe në punishte, problem serioz paraqet edhe mungesa e punëtorëve. Te këta punëkryes ka ditë të tëra që numëron në gishtat e njërës dorë punëtorët e angazhuar. /Buletini Ekonomik/