Haradinaj për padinë e Ramës: Kam pritur probleme më të mëdha pasi ua prisha pazaret për ndarje të Kosovës

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka pritur probleme më të mëdha se një padi nga kryeministri shqiptar Edi Rama, “pasi u prishën planet për ndarjen e Kosovës”.

Ai ka thënë në Rubikon të KTV-së se “po i vjen marre prej bashkëkombësve që do të përballet në gjykatë me Ramën”.

Reklama e sponzorizuar

“Unë jam në Gjykata kaherë, jam mësuar me gjykata, mua më vjen marre prej bashkëkombësve shqiptarë, veçanërisht më vjen marre prej socialistëve, që i njoh e i kam miq, por për aspekte të tjera nuk e kam problem sepse kur kam hy me ua prishë pazaret e vështira unë jam bërë gati edhe për pasoja më të rënda, kam prit edhe probleme të tjera, por fatmirësisht ato dështuan, por mobilizimi ishte i madh, resurset e mëdha, në raste të caktuara kam mbetur i vetëm.

S’kam thënë se ata do të marrin para. Ndarja e Kosovës nënkupton humbje të një pasurie të një vlere dhjetëramiliardëshe. Kam thënë se ajo më jep të dyshoj se ata që e kanë shty këtë projekt kanë pas interes për ta shtyrë. Te Zoti besoj se pa interes dikush nuk e bën këtë. Pse të përjashtoj? Ai e di që kur hiqet veriu, Kosova humb rezerva miliardëshe”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se “ka çka të qetë në Gjykatë”.