Oda e Mjekëve ua kërkon 30 euro pacientëve që ankohen në shërbime shëndetësore

Për çdo ankesë në Odën e Mjekëve të Kosovës (OMK) pacientët duhet të paguajnë 30 euro. Këtë e ka konfirmuar drejtori i OMK-së, Pleurat Sejdiu, sipas të cilit kjo tarifë nuk është e lartë, shkruan sot Koha Ditore.

“Ne ia paguajmë 40 euro një anëtari të komisionit për shqyrtimin e një lënde. Ky çmim nuk është i lartë, sepse edhe në gjykatën e shtetit ankesat kushtojnë 40 euro”, ka thënë Sejdiu.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka theksuar se vendimi është brenda kuadrit ligjor dhe se rastet sociale janë të përjashtuara nga kjo pagesë. Ndaj vendimit të Odës së Mjekëve ka reaguar Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës. Kjo shoqatë është ankuar tek Avokati i Popullit, Ilmi Jashari.

“Ende nuk kemi marrë përgjigje për ankesën që e kemi adresuar tek Avokati i Popullit. Pas marrjes së një përgjigjeje do të mundë të japim deklaratë”, ka thënë Besim Kodra nga kjo shoqatë.