Donika Sollova: Ja si duhet të përmirësojmë gjendjen e grave në tregun e punës në Kosovë

Sipas raportit të Bankës Botërore për Kosovën të publikuar në shtator të këtij viti, vetëm 18% e grave janë aktive në tregun e punës. Kjo është shkalla më e ulët në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Shkalla e ulët e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës në Kosovë vie si rezultat i barrierave të shumta me të cilat përballen gratë në tregun e punës. Disa prej tyre janë pagat e ulëta, kushtet e këqija të punës, normat shoqërore, dhe mungesa e një orari fleksibil të punës.

Sipas Ligjit Nr. 03 / L-212 mbi Punën, punëdhënësit nuk mund të ndërpresin kontratat gjatë shtatzënisë, pushimit të lindjes dhe mungesës në vendin e punës për shkak të kujdesit të veçantë për fëmijët. Pagesa e pushimit të lindjes mund të zgjasë 12 muaj. Ajo mund të fillojë 45 ditë para datës së lindjes. 6 muajt e parë mbulohen nga punëdhënësi me një kompensim prej 70% të pagës. 3 muajt e tjerë mbulohen nga qeveria me një kompensim prej 50% të pagës. Gratë kanë të drejtë të vazhdojnë pushimin e lindjes pa pagesë për tre muaj të tjerë. Gjashtë muajt e fundit mund të përdoren edhe nga babai nëse arrihet një marrëveshje e përbashkët me nënën. Gjithashtu, ky ligj u mundëson grave të drejtën e mbrojtjes se veçantë dhe pagesës se barabartë.

Një përqindje më e lartë e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës është e dobishme për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale në përgjithësi. Shumë vende e shohin fuqizimin e gruas si katalizator për rritjen ekonomike. Një përqindje më e lartë e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës u mundëson punëdhënësve të zgjedhin nga një grup më i madh punonjësish, gjë që rrit mundësitë e përzgjedhjes së një punonjësi më të kualifikuar. Punësimi i grave përmirëson mirëqenien e fëmijëve. Dëshmitë tregojnë se gratë e punësuara shpenzojnë të ardhurat personale në shëndetin dhe edukimin e fëmijëve më shumë se meshkujt. Kjo çon në nivele më të larta të arsimit dhe standardeve më të larta të jetesës për gjeneratat e ardhshme. Prandaj, një shkallë më e lartë e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore çon në përfitime afatgjata socio-ekonomike. Për të përmirësuar gjendjen aktuale në këtë fushë rekomandoj që të ndiqen hapat në vijim.

Reklama e sponzorizuar

Rritja e fleksibilitetit tek oraret e punës – Në botë aplikohen orare të ndryshme flesibile të cilat inkurajojne gratë të bëhen pjesë e tregut të punës. Gratë për tu bërë pjesë e tregut të punës zakonisht krahasojnë nivelin e produktivitetit në shtëpi me atë në punë. Meqenëse gratë kanë më shumë përgjegjësi në shtëpi sesa meshkujt, fleksibiliteti në oraret e punës do t’i bënte ato të arrijnë kombinimin e dëshiruar midis faktorëve të përmendur më lartë. Një prej orareve flesibile të punës që aplikohet më shumë është ndarja e punës ose puna me kohë të pjesshme që lejon dy gra të ndajnë orarin tradicional të punës gjatë një jave, njëra mund të punojë në ndërrimin e mëngjesit dhe tjetra në ndërrimin e pasdites. Në Holandë, 54% e grave kanë punë me kohë të pjesshme. Gjithashtu, disa kompani mund të ofrojnë punësim për kryerjen e shërbimeve nga shtëpia. Meqenëse gratë e kanë të vështirë të lënë të gjitha përgjegjësitë në shtëpi, ky lloj punësimi do të ishte një lehtësim. Në vendet e zhvilluara, praktika të tilla kanë rritur në masë të madhe pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.

Ofrimi i trajnimeve online – Meqenëse gratë e kanë të vështirë të largohen nga shtëpia për shkak të arsyeve personale dhe kulturore, është e rekomandueshme të ofrohen trajnime në internet. Trajnime të tilla duhet t’i ndihmojnë gratë të fitojnë aftësitë e nevojshme të cilat kërkohen në tregun e sotëm të punës, siç janë aftësitë ndërpersonale, aftësitë e të menduarit kritik, aftësitë për zgjidhjen e problemeve, dhe aftësitë për punë në grupe. Përveç kësaj, këto trajnime duhet të përfshijnë edhe rekomandime për të gjitha procedurat e aplikimit dhe intervistimit.

Luftimi më serioz i barrierave shoqërore – Shkollat, kompanitë dhe mediat duhet të marrin iniciativa dhe të krijojnë programe për të rritur ndërgjegjësimin e komunitetit dhe për të inkurajuar gratë në profesionet jo tradicionalë. Në Kosovë, normat shoqërore janë një nga kufizimet kryesore në shkallën e pjesëmarrjes së femrave në fuqinë punëtore. Është perceptuar se gratë nuk janë në gjendje të punojnë në orët e vona ose të udhëtojnë në takime pune. Kjo mënyrë e të menduarit i vë gratë në pozitë të pafavorshme gjatë procesit të punësimit dhe promovimit në pozita më të larta në kompani të ndryshme. Përveç kësaj, profesione të ndryshme përceptohen të jenë të papërshtatshme për gratë. Për këtë arsye, rekomandoj politika dhe reforma të cilat synojnë të ndërgjegjësojnë shoqerinë.

Rritje e buxhetit publik për mbështetjen e edukimit të grave – Qeveria duhet të ndajë një pjesë më të madhe të buxhetit të saj për të subvencionuar edukimin e grave, veçanërisht për familjet që jetojnë në zonat rurale me kushte të vështira ekonomike. Arsimi është një faktor kyç i rritjes ekonomike. Dëshmitë tregojnë se edukimi i femrave ka një marrëdhënie pozitive me shkallën e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore. Arsimi i grave çon në varfëri më të ulët, në norma më të ulta të fertilitetit dhe në një mirëqenie me të lartë sociale.

Fuqizimi i grave duhet të jetë një ndër qëllimet kryesore në agjenden politike shtetërore. Edukimi dhe aftësimi i grave është kusht paraprak në krijimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror. Andaj, shteti i Kosovës duhet të marrë hapa konstruktiv dhe të shpejtë për të përmirësuar këtë situatë.