Kosova, i vetmi vend në botë “pa pensionistë”

Pensonistët e Kosovës dolën të jenë praktikisht ‘inekzistentë” edhe me projeksionet buxhetore të Buxhetit 2024, ku me asnjë rreshtë të shkruar dhe me asnjë fjalë as që u përmend ekzistenca dhe mirëqenia e mjerueshme e tyre. Ndërkohë, që kryemnistri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë në ditën e fundit të tetorit, duke treguar për fushat që do t’i kenë prioritet me buxhetin e pritshëm prej 3 miliardë e 314 milionë euro, radhiti jo pak sektorë si kategori të shpenzimeve gjatë vitit në vijim, ku parashihet rritje pagash dhe mirëqeniesh.

Mehmet GJATA  

Edhe pse në bazë të statistikave, evidencave reale dhe dokumentacionit ekzistues (të dhënave zyrtare, pra), Kosova llogaritet të ketë rreth rreth 200 mijë pensionistë, prej tyre diku rreth 49 mijë kontributpagues, dhe rreth 149 mijë pensionistë “të pleqërisë”, shtetit, institucioneve të tij dhe vendimmarrësve, atyre që vendosin për distribuimin dhe shpenzimin e parasë së shtetit, ka kohë që nuk u bie ndërmend për ta. Ekzistojnë si numra, por pensionistët e Kosovës realisht sikur nuk ekzistojnë fare në këtë vend.

Reklama e sponzorizuar

Ç’është e vërteta që nga paslufta pensionistët e Kosovës janë vetëm numra të evidencuar, pa asnjë vëmendje nga shteti, nga Qeveria, e as nga subjektet politike – pozitë dhe opozitë. Pensonistët në Kosovë në vazhdimsi po anashkalohen dhe po mbesin të “harruar” fare, sikur mos të ekzistonin as nga Qeveria aktuale, e cila do duhej ta kenë detyrë dhe obligim përkujdesjen ndaj pensionistëve dhe trajtimin më njerëzor të tyre edhe në baze të premtimeve para ardhjes së tyre në pushtet, por edhe në bazë të parashikimeve sociale të vendit të vijëzuara në dokumente të shumta të funksionimit të këtij shteti.

Pensonistët e Kosovës dolën të jenë praktikisht ‘inekzistentë” edhe me projeksionet buxhetore të Buxhetit 2024, ku me asnjë rreshtë të shkruar dhe me asnjë fjalë as që u përmend ekzistenca dhe mirëqenia e mjerueshme e tyre. Ndërkohë, që kryemnistri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë në ditën e fundit të tetorit, duke treguar për fushat që do t’i kenë prioritet me buxhetin e pritshëm prej 3 miliardë e 314 milionë euro, radhiti jo pak sektorë si kategori të shpenzimeve gjatë vitit në vijim, ku parashihet rritja e pagave dhe mirëqenies.

Hekuran Murati, doli të jetë edhe më konkret: Në sektorin e arsimit do të ketë rritje 20% derisa në SHSKUK do të ketë ngritje pagash 25%. “Ky buxhet parashihet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro dhe parashihet të ndikojë te qytetari. Gjithashtu pritet të rritet edhe koeficienti i Ligjit të Pagave, nga 105 euro në 110. Kjo nënkupton që paga mesatare në sektorin publik të jetë rreth 780 euro bruto (sipas tyre aktualisht paga mesatare në sektorin public është 700 euro), apo të ketë edhe rritje të theksuar, krahasuar me rritjet paraprake. Pra nëse e marrin në një periudhë pesëvjeçare shihet se buxheti i pagave ka rritje për 30%”, tha Murati.

Por, as Kurti, as Murati nuk e kishin paraparë fare asnjë rritje për pensionistët, për të cilët, siç dihet në këto vitet e fundit, nuk pati asnjë herë lëvizje pensionesh. Mirë, që parashihet rritje pagash në sektorët e akceptuar, por lëvizjet ekonomike, shkalla e inflacionit dhe ngritja enorme e çmimeve ka godiur edhe pensionistët, shumicë absolute e numrit të tyre me pensione prej 100 eurosh. Nuk i ra ndërmend për pensionistë as deputetës së LDK-së, Hykmete Bajramit, e cila me nguti reagoi dhe kontestoi rritjet e parashikuara të pagave në sektorët e lartëpërmendur, ndërsa vlerën e koeficientit të pagave prej 110 euro, Bajrami e ka konsideruar si tallje me qytetarët.

“Koeficienti i pagave 110 euro ështa tallje me qytetarët, rritje e koeficientit për vetëm 4.7% derisa inflacioni në shtator të vitit 2022 ka qenë 14.7% e në shtatorin e këtj viti 4.2%, dmth. Rritja e koeficientit prej 5 euro as për së afërmi nuk e reflekton shkallën e inflacionit në vend”, ka thënë ajo për medie.

Por, ajo nuk u kujtua se shkalla e inflacionit ka goditur edhe 200 mijë pensionistët e këtij vendi, tre të katërtat e të cilëve kanë pensione vetëm 100 euro, që është diku rreth 7 deri në 8 herë pagë më e vogël se sa e punonjëve të sektorit publik, të cilëve do t’u rritën pagat edhe me buxhetin e pritshëm.

Në Kosovë, ndër zyrtarët e saj, autoritetet dhe institucionet vendimmarrëse, praktikisht, askush nuk merret me degradimin e jetës së pensionistëve në përmasa kaq alarmuese. Një pensionistë kosovarë që vuan nga diabeti TIP 2, me 100 euro nuk mund të sigurojë as barërat e domosdoshme për zbutjen e kësaj sëmundjeje. Një ilaç, i vlerësuar në mjekësi paksa më efikas për diabetikët, me emrin “forxiga”, 10 mg, prej 30 tabletash kushton më së liri 40 euro, një DIAPREL’ MR 60 mg, ka çmimin rreth 30 euro, dhe një Eucreas 50 mg/1000 mg kushton diku 25 euro.

Të moshuarit-pensionistët e Kosovës, shumë prej tyre vuajnë nga një e më shumë sëmundje. Dhe llogaritni si mund të jetojnë dhe ta përmbyllin ata muajin me 100 euro. Fatmirësisht, ka goxha shumë pensionistë që ndihmohen nga famija, fëmijët etj, por ka edhe shumë sish që të vetmet të ardhura kanë 100 euro të pensionit të tyre.

Ndërkohë, në të gjitha shtetet e botës, por edhe të rajonit të varfër, sado pak, por gjithnjë kanë vëmendjen ndaj pensionistëve. Sipas mundësive edhe kanë rritur pensionet, madje edhe në periudha të paskrizave në disa raste. Edhe Shqipëria, ka ngritur pensionet për 767 mijë pensionistë të të gjitha kategorive në masën 8,6 për qind, ndërsa vendimi nis zbatimin në 1 tetor. Duhet potencuar se gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri, vendi që krahas Kosovës, shquhet me pensione fare të ulëta, megjithatë janë realizuar dy indeksime, në total në masën 9.5%. Krahas këtyre rritjeve, Qeveria e Shqipërisë, ka dhënë edhe bonuset, si ai i fund vitit që tashmë është i përfshirë në Ligjin e Buxhetit të çdo viti dhe i cili do të akordohet edhe këtë vit.

Disa herë në muajt e fundit kanë ngritur pensionet edhe Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Maqedonia e Veriut, sipas medieve, për 330.000 pensionistët i korrigjon pensionet dy herë në vit, me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare, që pastaj sigurohet edhe rritje e vazhdueshme e të hyrave pensionale.

Në Kosovë, për dallim nga vendet e tjera të rajonit, pensionistët sikur nuk janë pjesë e shoqërisë. Pensionistët e Kosovës vazhdojnë të anashkalohen nga shteti e pushteti, të mostrajtohen fare, as si qytetarë të margjinalizuar madje. Ata thjesht sikur nuk ekzistojnë në Kosovën aktuale. Nuk ka lëvizje fare tani e sa kohë (lexo vite) në rritjen e pensioneve në Republikën tonë, derisa në të gjitha shtetet e rajonit (siç u tha më lartë) sado pak ka ndodhur rritje e pensioneve në disa raste dhe më shpesh në periudhën e paskrizave globale dhe të brendshme si rrjedhojë e ngritjes astronomike të çmimeve.

Dhe, në Kosovë nuk parashihet rritje pensionesh as me projeksionet buxhetore 2024. Ndoshta, në vazhdim do të kujtohet ndonjë autoritet se edhe në këtë vend frymojnë rreth 200 mijë pensionistë, të moshuar që dekada e dekada kontribuan në ndërtimin e këtij vendi. Ndoshta vitin e ardhshëm, për shkak se është kohë parazgjedhore, kushtimisht do të përkujtohen subjektet politike, së paku për të premtuar vëmendje, si në të gjitha fushatat e deritashme elektorale /Buletini Ekonomik