Përgatitjet për festat e fundvitit kanë filluar në shumë komuna të vendit. Disa prej komunave janë treguar më të shpejta e kanë përfunduar me dekorimet, e të tjera po e presin javën e ardhshme për të filluar me zbukurime. Por, që të gjitha kanë ndarë mjete për këtë qëllim. Komuna që ka ndarë më së shumti para për dekor është Prishtina, pasuar nga Prizreni e Ferizaj. Vetëm për dekorimin e shesheve në kryeqytet janë ndarë rreth 75 mijë euro
Dritat e bredhat kanë filluar të zënë vend nëpër disa prej shesheve e rrugëve nëpër qytetet e vendit.
Ani pse kanë mbetur më shumë se dy javë prej festave të fundvitit, disa prej komunave ka kohë që i kanë përfunduar përgatitjet. Por, ka edhe të tjera që ende nuk i kanë filluar përgatitjet.
Për ta bërë këtë, komunat po e presin fillimin e javës së ardhshme.
E për dallim prej viteve të tjera, kryetarët e komunave janë treguar më “dorëlirë”
Komuna që ka ndarë më së shumti para për këtë qëllim është ajo e Prishtinës. Madje, këtë vit ata janë treguar edhe më “dorëlirë”.
Zëdhënësi për media në këtë komunë, Adonis Tahiri i ka thënë Gazetës Express se për zbukurimin e qytetit janë ndarë rreth 75 mijë euro.
“Janë të ndara rreth 75.000 euro për zbukurimin e qytetit, për shkak se këtë vit shtohet edhe sheshi “Adem Jashari”, ka thënë për Express Adonis Tahiri, zëdhënës i Komunës së Prishtinës.
Punimet për zbukurimin e qytetit i ka filluar edhe Komuna e Prizrenit, të cilat do të përfshijnë gjithë qendrën historike të qytetit.
Zyrtar për Marrëdhënie me Publikun, Lis Dorambari, i ka thënë Gazetës Express se përveç zbukurimeve në Shatërvan, Sheshin e Lidhjes e rrugëve kryesore, komuna ka paraparë që të bëjë dekorime të veçanta edhe në Lumbardh, Shtëpinë e Bardhë dhe Administratën Komunale.
Gjithë këto përgatitje buxhetit të komunës që udhëhiqet nga Mytaher Haskuka, do t’i kushtojnë rreth 28 mijë euro.
“Sa i përket dekorimit për vitin e ri, punimet kanë filluar këtë javë dhe dekorimi do të bëhet në gjithë qendrën historike të qytetit, përfshirë edhe lumin Lumbardhi, Shtëpinë e Bardhë dhe objektin e Administratës Komunale. Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet është ndarë buxhet i ngjashëm, afërsisht 28 mijë euro”, ka thënë Dorambari për Express.
E për dallim prej Prishtinës e Prizrenit që vetëm sa kanë filluar më përgatitje, ka komuna që kanë përfunduar zbukurimin e shesheve
Përgatitjet për festat e fundvitit i ka përfunduar Komuna e Ferizajt. Për dekorim të qytetit për festat e fundvitit, komuna që udhëhiqet nga Agim Aliu ka ndarë rreth 10 mijë euro.
“Komuna e Ferizajt, ka përfunduar dekorimin e qytetit për festat e fund vitit. Ndërsa dritat e Pemës së Vitit të ri, janë ndezur me datën 10 dhjetor 2018. Dekorimi i qytetit të Ferizajt për festat e fund vitit ka kushtuar rreth 10 mijë euro”, thuhet në përgjigjet e zyrës për informim drejtuar Gazetës Express.
E për dallim prej Ferizajt që ka përfunduar zbukurimin e shesheve dhe rrugëve, Podujeva e Drenasi po e presin javën e ardhshme për të filluar përgatitjet.
Në Komunën e Podujevës i kanë thënë Gazetës Express se këtë vit, ata kanë ndarë rreth 10 mijë euro për dekorimin e rrugës kryesore dhe shesheve të qytetit.
Zëdhënësi i kësaj komune, Nazmi Elezi ka deklaruar se dekorimi do të fillojë që nga java e ardhshme.
“Komuna e Podujevës, si edhe viteve të tjera, do të bëjë dekorimin e rrugës kryesore dhe shesheve të qytetit për festat e fundvitit. Për këtë qëllim Komuna ka ndarë 9,945 euro, kurse tenderin e ka fituar kompania “Anea”. Dekorimi i qytetit do të fillojë javën e ardhshme”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi për Express.
Edhe Komuna e Drenasit, dekorimin e qytetit nuk e ka filluar ende.
Për këtë qëllim, komuna që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci ka paraparë të shpenzojë 2 mijë euro.
“Dekorimi i qytetit për festa të fund vitit në Komunën e Drenasit do të filloj të hënën me datë 17 dhjetor 2018, ndërsa shuma e mjeteve që ka ndarë Komuna e Drenasit për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit është 2000€”, ka thënë Rinore Zymeri nga kjo komunë.
Express ka dërguar pyetje edhe në komunat e tjera për të marrë informacione për mjetet e ndara për zbukurimin e qyteteve për festat e fundvitit, por që të njëjtat nuk kanë kthyer përgjigje.