Tashme ka kaluar në Komisionin Parlamentar për Administratë Publike, Ligji për Liri të Asociimit në OJQ, por nga shoqëria civile vlerësojnë se ky version i Ligjit përmban dispozita kundërkushtetuese, e të cilat rrezikojnë të ardhmen e sektorit jo-qeveritar në Kosovë.
Ky ligj, nëse kalon përfundimisht në Kuvend në versionin aktual, hap mundësinë reale që institucionet mikrofinanciare në Kosovë, të cilat kanë funksionuar si OJQ që nga paslufta, kapitalin e grumbulluar në formë donacionesh ta shndërrojnë në kapital privat.
“Ky ligj do të legalizojë mundësinë që kapitali i OJQ-ve të tjetërsohet dhe t’i kalojë edhe institucioneve private, mundësi kjo e paprecedent në Europë dhe më gjerë dhe në kundërshtim të parimit bazë jo-për-përfitim. Gjithashtu i krijon hapësirë shtetit që të mbyllë OJQ-të bazuar në interpretime arbitrare të aktivitetit të OJQ-ve, si dhe e vështirëson dukshëm themelimin dhe regjistrimit të OJQ-ve dhe cënon Statusin për Përfitim Publik”, thuhet në një reagim të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
Ky Ligj në formën aktuale është kundërshtuar nga 80 organizata të shoqërisë civile dhe ishte kthyer prapa edhe nga Zyra e Presidentit, bazuar në ankesat e shoqërisë civile.
Sipas KCSF-së, nëse nuk ndryshohet, Ligji për Liri të Asociimit në OJQ do të hyjë në fuqi me dispozita të cilat janë në kundërshtim me parimet ndërkombëtare dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO 97/12 të vitit 2013 për Ligjin për Bankat.
“Organizatat e shoqërisë civile do të vazhdojnë takimet me shefat e grupeve parlamentare dhe deputetët individual, për t’u kërkuar atyre që vendimin e tyre në seancë plenare ta bazojnë në argumente, vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe parime ndërkombëtare, dhe kësisoj të parandalojnë aprovimin e një ligji kundërkushtetues dhe që e rrezikon të ardhmen e sektorit jo-qeveritar në Kosovë”, thuhet në reagimin e KCSF-së. /Buletini Ekonomik/