Miliona njerëz në të gjithë botën kanë humbur punën e tyre, dhe triliona dollarë janë “fshirë” nga vlera e tregjeve të aksioneve.
Por jo të gjithë kanë humbur.
Jeff Bezos, personi më i pasur në botë, është më i pasur sot se sa ishte në fillim të vitit.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Jeff Bezos shpëtoi një pasuri të vogël duke shitur miliarda dollarë në aksione të Amazon para se pandemia e coronavirusit të godiste edhe tregun e aksioneve.
Manjati 56-vjeçar për tregtinë elektronike shmangi humbjen prej rreth 317 milionë dollarë duke hedhur në treg 3.7 miliardë dollarë aksione të Amazon në fillim të shkurtit.
Kjo ndodhi më pak se tre javë para se tregjet globale të goditeshin ndërsa virusi përhapej dhe po përhapet në të gjithë botën.
Vlerësohet se Bezos do ta kishte marrë atë goditje të rëndë nëse do t’i kishte mbajtur aksionet në Amazon deri në 20 mars.
Është e pasigurt se çfarë roli, nëse kishte, coronavirusi luajti në vendimin e Bezos për të shitur rreth 3 për qind të aksioneve të tij në Amazon përpara se kriza të bëhej një pandemi që ka gjunjëzuar në mënyrë efektive ekonominë botërore.
Gjithsesi, thuhet se Bezos tha në vitin 2017 që ai do të shesë të paktën 1 miliard dollarë të aksioneve çdo vit për të financuar Blue Origin, kompaninë e tij private të hapësirës ajrore.