LDK dhe Vetëvendosje nuk do ta votojnë buxhetin për vitin 2019

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës pritet ta votoj të premten Projektligjin për buxhetin 2019, në shumë prej 2 miliardë e 40 milionë euro, mirëpo partitë politike opozitare kanë thënë se nuk do të votojnë buxhetin e propozuar nga Qeveria e Kosovës.

Në fillim të muajit dhjetor, Kuvendi debatoi për dy ditë rresht për buxhetin e propozuar nga qeveria, por ky debat përfundoi pa votimin e Projektligjit, pasi që Kuvendi nuk kishte kuorum për vendimmarrje.

Partitë në pushtet i kanë ftuar edhe partitë opozitare që ta votojnë këtë buxhet.

Reklama e sponzorizuar

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Safete Hadërgjonaj, për Telegrafin, tha se nuk ka asnjë arsye që të mos votohet ky buxhet, i cili sipas saj, është i shpërndarë në mënyrën korrekte.

“Dua të besoj se edhe opozita do të jetë pjesë e seancës. Buxheti është i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për të gjitha institucionet, madje është edhe për jetën e të gjithëve, prandaj unë i ftoj të gjithë që ta votojnë këtë buxhet. Besoj se ka arsye të forta për ta votuar këtë buxhet dhe nuk ka asnjë arsye që të mos votohet, pasi është një buxhet i shpërndarë në mënyrë më të mirë të mundshme”, tha për Telegrafin, deputetja Hadërgjonaj.

Kurse në partinë më të madhe opozitar, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e kanë konfirmuar se nuk do ta votojnë buxhetin për vitin 2019.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha për Telegrafin se vota e këtij subjekti partiak do të jetë kundër buxhetit.

“Sa i përket votës, jemi deklaruar sa herë që vota e LDK-së është kundër buxhetit. Ndërkohë debate për leximin e parë është kryer, në fakt nuk ka më debat, në seancën e kaluar nuk ka pasur kuorum të votohet. Në çfarëdo skenar, buxheti i vitit 2019 nuk i ka votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha për Telegrafin, Bajrami.

Votën kundër Projektbuxhetit për vitin 2019, e kanë deklaruar edhe në Lëvizjen Vetëvendosje.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi, tha për Telegrafin se nuk do ta mbështesin buxhetin për vitin 2019.

“Sa i përket qëndrimit tonë ndaj buxhetit, ne kemi thënë që jo. Edhe në leximin e parë kemi thënë që ky buxhet nuk i plotëson asnjë kriter të vetëm për të votuar. Kështu që qëndrimi është shumë i prerë, Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështet këtë buxhet”, tha për Telegrafin, Besnik Bislimi.

Në muajin tetor, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2019, i cili parashihet të arrijë shifrën mbi 2 miliardë e 300 milionë euro.

Lexo po ashtu:

Hamza: Me buxhetin e vitit 2019 rritja ekonomike e vendit do të jetë 4.7%

Hamza: Me buxhetin e vitit 2019 rritja ekonomike e vendit do të jetë 4.7%

Në një prezantim të buxhetit që i ka bërë ministri i Financave, Bedri Hamza, në Kuvendin e Kosovës pati thënë se me këtë buxhet, rritja ekonomike do të arrijë deri në 4.7 për qind. Derisa, ky Projektbuxhet prioritet i jep sistemit të drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë.

Derisa, rreth 770 milionë euro janë paraparë për investime kapitale.

Në anën tjetër, nëse buxheti nuk votohet, sipas procedurave ligjore në Kuvendin e Kosovës, deri më 20 dhjetor, vendi mund të shkojë në krizë buxhetore. Atëherë, sipas afatit kohor, në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, shpenzimet buxhetore duhet të realizohen në 1/12 e buxhetit të këtij viti.