Mbi 900 persona në Kosovë humbën punën për shkak të koronavirusit

Ministrja e MEPTINIS-it, Rozeta Hajdari, ka folur për fazën e parë të kthimit në normalitet, derisa ka theksuar se deri më tani afër 920 persona kanë deklaruar se kanë humbur vendin e punës.

Ajo ka thënë se tani faza e parë ka nisur me hapjen e disa tregjeve me pakicë dhe është optimiste se në fazën e dytë do të ketë edhe më tepër hapje të bizneseve të ndryshme.

“Tregtia me pakicë janë krejtësisht të hapura. Jam optimiste që na fazën e dytë të ketë edhe më tepër veprimtari që hapen. Ne kemi inspektoratin e tregut që do të shikojë në baza ditore se si janë duke u respektuar masat. Mund të them se këto masa janë shumë të rëndësishme që të respektohen, përfshirë ajo e distancës dhe dezinfektimit. Sidomos në sektorin e ndërtimtarisë”, ka thënë Hajdari, në emisionin “Raport” në KTV.

Reklama e sponzorizuar

Ajo ka paralajmëruar ndëshkime nëse nuk respektohen masat shëndetësore.

“Në fazën e parë kur kemi lejuar ndërtimtarinë nuk ka pasur respektim të masave, por do të ketë ndëshkueshmëri nëse nuk respektohen këto masa. Parashohim se ndoshta mund të ketë edhe probleme, por mundësia është që edhe qytetarët të bashkëpunojnë, por jam optimiste se qytetarët do të adresojnë për të gjitha problemet që mund të hasin në treg”, ka thënë ajo.

Numri i punëtorëve dhe buxheti kanë qenë kriteret kryesore për hapjen e bizneseve në fazën e parë.

“Për fazën e parë kemi pasur disa kritere, kryesor ka qenë numri i punëtorëve dhe arka apo buxheti. Gjithmonë në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë, pasi është ajo që po udhëheq. Kemi testuar që në javën e parë të fillojmë me hapjen e bizneseve. Porse na shqetëson që qytetarët do të mblidhen në turma. Nëse nuk respektohen masat që janë paraparë kjo do të brengosë dhe të na kthejë aty ku kemi qenë, e të mos shkojmë në fazën e dytë”, ka thënë Hajdari.

Ajo ka shtuar se veprimet e ardhshme do të varen nga rezultatet që vijnë nga MSH-ja rreth pandemisë.

“Duke u bazuar nga imputet që marrim nga inspektorët dhe raportet që vijmë për pandeminë ne do të veprojmë. Krejtësisht do të varet nga respektimi i masave, dhe nga situata që vjen nga raportet rreth pandemisë”, ka thënë Hajdari.

Sipas saj, Pakoja Emergjente është shumë e përshtatshme për të adresuar nevojat e bizneseve dhe punëtorëve në çështjen e likuiditetit.

“Aplikimi po shkon mirë. Po ashtu edhe punëtorët që kanë humbur punën dhe nuk kanë kontratë mund të aplikojnë. Afër 920 të tillë janë deklaruar. Kusht i tyre është edhe paraqitja e rrogës së muajit shkurt 2020. Masa e katërt për ndërmarrjet publike gjithashtu kanë aplikuar dhe mendoj se do të shkojë mirë”, ka thënë Hajdari.

Ajo thotë se kanë krijuar edhe një grup koordinues për t’i adresuar çështjet e humbjeve ekonomike.

Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se pakoja e dytë do të jetë për rimëkëmbje ekonomike.

“Nesër do t’i diskutojmë por edhe në ditën në vijim, dhe do të ketë edhe anketa të reja. Ne kemi kalkuluar, ATK-ja ka marrë vendim që të shtyjë deklarimet e tatimeve dhe kjo situatë nuk na jepë pasqyrën e vërtetë se sa janë humbjet, para datës 15 nuk mendoj se mund të kemi një pasqyrë të saktë”, ka thënë Hajdari.