Oda Amerikane: Duhet të ketë stabilitet politik për investime të brendshme dhe të huaja

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë -OEAK

Oda Ekonomike Amerikane tha se stabiliteti politik është kyç për nxitjen e investimeve të brendshme dhe tërheqjen e investimeve të huaja, prandaj ka shprehur shqetësimin në Kosovë lidhur me “diskursin përplasës gjithnjë e në rritje ndërmjet akterëve politikë në Kosovë, në një kohë kur vendi duhet të demonstrojë stabilitet jo vetëm për të avancuar agjendën zhvillimore, por edhe për të menaxhuar situatën e krijuar pas shpërthimit të pandemisë Covid-19”.

Po ashtu, Oda Amerikane beson që në kohën kur është e nevojshme rritja e angazhimit të gjithë mbarshëm për fuqizimin e shtetit të Kosovës, akterët politikë e shoqërorë duhet të tregojnë maturi dhe koordinim. Prandaj, Oda Amerikane fton liderët institucionalë e politikë të Kosovës të përmbahen nga gjuha e përçarjes së skajshme, si dhe thirrjet denigruese dhe nxitjet për dhunë.

“Oda Amerikane rikujton se çfarëdo akti i dhunës, do të rëndonte më tej mbi imazhin edhe ashtu jo të mirë të vendit para investitorëve të huaj, aq shumë të nevojshëm për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. Aktet e tilla jo vetëm që do të kthenin Kosovën mbrapa, por edhe do të kërkonin investim dhe përpjekje të reja për përmirësimin e perceptimit para investitorëve të huaj”, thuhet në reagimin e OEAK.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu  OEAK thekson se duhet angazhim edhe në arritjen e stabilitetit të brendshëm por edhe raportet me fqinjët.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson që institucionet e vendit duhet të shfaqin vullnet të fuqishëm dhe angazhim serioz për arritjen e një stabiliteti të përgjithshëm edhe në kontekst të brendshëm, por edhe në raport me shtetet fqinje, meqë raportet e mira ndërfqinjësore janë parakusht për integrimin ekonomik rajonal por edhe për avancimin e procesit integrues euro-atlantik”, thuhet në reagim.