Volkswagen do të ndërtojë makina elektrike me kosto të ulët për të konkurruar rivalët kinezë

Volkswagen do të ndërtojë makina elektrike me kosto të ulët, për të konkurruar më mirë me rivalët e ashpër kinezë, deklaroi të martën shtëpia më e madhe automobilistike europiane, pasi bisedimet me Renault për të bashkëpunuar në projekt dështuan në fillim të muajit.

Synimi është ndërtimi i automjeteve elektrike për tregun europian, me çmim rreth 20.000 euro, deklaroi Volkswagen, duke shtuar se makina e parë pritet të dalë në vitin 2027.

“Bëhet fjalë për lëvizshmëri elektrike entry-level nga Europa për Europën” – deklaroi CEO i Volkswagen, Oliver Blume.

Reklama e sponzorizuar

“Në këtë mënyrë ne tregojmë angazhim të qartë ndaj Europës si qendër industriale, një politikë industriale europiane dhe së fundi, veprojmë në interesin e klientëve europianë”.

Projekti, i quajtur ID.1, lind në momentin kur rivalët kinezë, disa prej të cilëve kanë avantazh prej 30% në kosto krahasuar me konkurrentët në Perëndim, po hyjnë në Europë, duke rrëmbyer pjesë tregu dhe duke goditur shtëpitë automobilistike të njohura në vendin e tyre të origjinës.

Javën e kaluar, Volkswagen tha se industria europiane ka dy deri në tre vjet për t’u përgatitur ndaj kërcënimit të konkurrencës, duke paralajmëruar se mbijetesa e sektorit ishte në rrezik.

Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, Volkswagen po zbaton masa kursimi dhe për reduktimin e kostove në një vlerë rreth 10 miliardë euro për markën e saj kryesore brenda vitit 2026.

Drejtuesi i markës Volkswagen, Thomas Schaefer, deklaroi se pavarësisht çmimit të ulët, modeli fillestar i parashikuar do të vendosë standarde në lidhje me teknologjinë, dizajnin dhe cilësinë, duke shtuar se kjo do ta bëjë më sfiduese për shkak të rritjes së kostove të energjisë, lëndëve e para dhe fuqisë punëtore.

“Një gjë është e qartë – lëvizshmëria elektrike nga Europa për Europën mund të ketë sukses vetëm me mbështetjen politike dhe kushteve të kornizës konkurruese” – deklaroi Schaefer. /monitor.al/

/ Reuters