Ministria e Mbrojtjes (MM) ka mbajtur në punë zyrtarë të cilët brenda një viti, duke përjashtuar pushimet vjetore, mjekësore e festat zyrtare, nuk kanë shkuar në punë edhe për rreth një muaj. Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për këtë ministri për vitin 2019 ka gjetur tri raste të tilla. Sipas ZKA-së, kjo rrit rrezikun që Ministria të ketë paguar zyrtarë që nuk kanë punuar fare. Sipas ZKA-së, në raste të tilla duhet të shqyrtohen arsyet e mosvijueshmërisë në punë të zyrtarëve ose të aplikojë ndalesa në paga.
Në raportin e ZKA-së citohen Ligji për Shërbyesit Civilë dhe rregullorja e Qeverisë për orarin e punës, sipas të cilave punëtorët janë të obliguar të punojnë 40 orë në javë.
“Ne kemi identifikuar tri raste, të cilët gjatë vitit 2019 kanë pasur mosvijueshmëri në punë deri në 30 ditë, derisa në një rast deri në 46 ditë, duke përjashtuar pushimet vjetore, mjekësore dhe festat zyrtare”, thuhet në raportin e ZKA-së. Në këtë gjendje thuhet se është reflektuar mungesa e kontrolleve dhe mbikëqyrjes nga drejtorët e departamenteve përkatëse të punonjësve dhe neglizhencës së ardhje/vajtjes së punonjësve në punë.
Mungesa e dëshmive, të cilat konfirmojnë se zyrtarët të cilët paguhen nga Ministria janë duke punuar dhe se kompensohen vetëm për punën e bërë, sipas Auditorit rrit rrezikun e kryerjes së pagesave për zyrtarë të cilët fare nuk kanë punuar.
“Kjo është në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret në fuqi dhe ndikon në dëmtim të buxhetit”, thuhet në raport. Ministri thuhet se duhet që të shqyrtojë arsyet e mosvijimit në punë të zyrtarëve, ose në të kundërtën, të aplikojë ndalesat në paga për mungesën e paarsyeshme në punë.
“Në rast të përsëritjes së gjendjes, ministri të marrë masat për ndërprerjen e kontratave sipas kërkesës së Ligjit për Shërbyesit Civilë dhe rregullores së lartpërmendur”, theksohet në raport.
Auditori gjithashtu ka gjetur se MM-ja nuk ka bërë protokollimin e faturave të pranuara për shpenzimet e parasë publike. Në raport theksohet se sipas rregullës financiare për shpenzimin e parasë publike, faturat duhet të protokollohen dhe të evidentohen në librin e faturave, duke i zbatuar procedurat e kontrollit të brendshëm për qarkullim të dokumentacionit.