Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit, të presidentit Hashim Thaçi, për 24 orë do ta formojnë Qeverinë e re që pritet ta udhëheqë kjo parti.
Haziri ka thënë se do ta respektojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.
“Çfarëdo vendimi që të sjellë Gjykata Kushtetuese ne e respektojmë. Gjithçka është në pritje dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep të drejtën atij ose atyre me bë Qeverinë dhe institucionet legjitime dhe kjo çështje është procedurale mandej, sepse kurdo që gjykata e sjellë vendimin, 24 orë janë të mjaftueshme që të kemi institucione të reja ekzekutive”, ka thënë Haziri.
Haziri ka komentuar edhe punën 100-ditëshe të Qeverisë Kurti. Sipas tij, përveç largimeve, shkarkimeve dhe emërimeve politike veprime tjera nuk ka ndërmarre kjo Qeveri, raporton EO.
“100 numërohen nga zgjedhja e Qeverisë, mirëpo 50 ditë punë e cila e ka humbur besimin për shkak të mocionit të mosbesimit”.
“Do të mbahet mend si qeveri e cila nuk ka arritur të realizojë 100-ditëshin si duhet, por detyrën kryesore e kanë pasur pandeminë”.
“Çështje tjera përveç largimeve, shkarkimeve dhe emërimeve politike veprime tjera nuk ka pasur Qeveria”, shtoi ai.