Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka thënë se situata e rënduar e cilësisë së ajrit në Kosovë, është për shkak të grimcave të pluhurit të ardhura nga Sahara, në Evropë.
Përmes një njoftimi për media, AMMK thotë se gjendje më e rënduar e ajrit është në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjilanit dhe Mitrovicës.
“Gjatë ditës së sotme është vërejtur situatë e rënduar e cilësisë së ajrit në mënyrë të veçantë për Grimcat e Pluhurit PM2.5 dhe PM10, në disa stacione matëse të menaxhuara nga Instituti Hidrometeorologjike i Kosovës. Gjendje e rënduar e cilësisë së ajrit për parametrat PM2.5 dhe PM10 është regjistruar në stacionet në Prishtinë (IHMK dhe Rilindja), Prizren, Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë. AMMK sqaron opinionin e gjerë se kjo situatë ka ardhur si rezultat i kushteve aktuale meteorologjike në të cilat ndodhet vendi ynë”, thuhet në njoftim.
Sipas të dhënave meteorologjike të IHMK, njoftohet se Kosova aktualisht është nën ndikimin e masave të nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore.
AMMK thotë se pluhuri i ardhur nga Sahara në Evropë që ka përfshirë edhe Kosovën ka ndikuar në rritjen e vlerave të grimcave të pluhurit.
Sipas tyre, bartja e pluhurit dhe grimcave të vogla të rërës nga Sahara, është një fenomen që përfshinë shpesh Evropën dhe që manifestohet kryesisht me praninë e grimcave të pluhurit në ajër.