27 mijë e 814 euro është vlera e depozitave që nuk u janë kthyer të burgosurve që janë liruar. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin vjetor për vitin 2019 për ministrinë e Drejtësisë ka gjetur që kursimet dhe paratë që kanë pranuar të burgosurit gjatë kohës sa kanë vuajtur dënimet nuk janë kthyer në të gjitha rastet.
Sipas ZKA-së, kjo ka ndikuar në dëmtimin financiar të të burgosurve, prandaj kanë rekomanduar që personat përgjegjës për menaxhimin e parave të të burgosurve me rastin e lirimit të tyre, t’u kthejnë edhe paratë që kanë. Sipas raportit, ministria është pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit, si dhe është zotuar se do t’i adresojë të gjitha rekomandimet e dhëna, shkruan KOHA.
Në raportin e ZKA-së citohet neni paragrafi i parë i nenit 131 i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, sipas të cilit, “pas lirimit, personit të dënuar i jepen të gjitha gjërat dhe sendet personale të cilat atij i janë ruajtur nga institucioni korrektues, kursimet e tij dhe paratë që i ka pranuar gjatë kohës së mbajtjes së dënimit”.
“Ministria e Drejtësisë, respektivisht Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), nuk kishte arritur që t’i kthejë të gjitha depozitat e të burgosurve të liruar. Vlera e depozitave të pakthyera për të burgosurit e liruar në fund të vitit 2019 ishte 27 mijë e 814 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së.