Që nga momenti kur janë shënuar rastet e para me koronavirus në Kosovë në muajin mars një pjesë e madhe e qytetarëve ka filluar mos të paguaj borxhet ndaj kompanive publike që ofrojnë shërbime për konsumatorët.
Vetëm në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’ nga e cila furnizohen me ujë tetë komuna të Kosovës, përfshirë kryeqytetin Prishtinën, janë krijuar borxhe nga konsumatorët në vlerë prej mbi 1 milion euro vetëm për dy muaj.
Sokol Xhafa, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, tha për Radion Evropa e Lirë se në muajin mars dhe prill kanë pasur rënie të madhe të inkasimit.
Sipas tij, nga një nivel prej 90 për qind e inkasimit është shënuar rënie në 50 për qind dhe kjo shton Xhafa është shqetësuese.
“Nëse flasim në vlerë monetare 1.2 milionë euro që janë faturuar në muajin mars janë pagur afërsisht 690 mijë dhe nuk janë pagur mbi 510 mijë euro fatura të ujit, kurse në muajin prill nga mbi 1 milionë euro që janë faturuar janë paguar vetëm 520 mijë euro”, thotë Xhafa, duke shtuar se kjo është vlera më e ultë e inkasimit që është regjistruar viteve të fundit.
Mesatarja e pagesës së një faturës të ujit për një familje varion nga 10 deri në 12 euro.
Vetëm 5 për qind e konsumatorëve paguan faturën e mbeturinave
Borxhe brenda dy mujave ndonëse kanë marrë shërbime konsumatorët janë krijuar edhe në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, e cila kryen shërbime në Prishtinë dhe në gjashtë komuna të tjera të Kosovës.
Gjatë mujave të pandemisë me koronavirus kësaj kompanie konsumatorët nuk i kanë paguar faturat që kapin vlerën e 1.2 milionë euro.
Arbnore Ademi zëdhënëse në këtë kompani thotë për Radion Evropa e Lirë, se 95 për qind e konsumatorëve nuk kanë bërë pagesën.
“Nëse flasim për shifra në tre muajt e fundit kompania ‘Pastrimi’ është dëmtuar për mbi 1 milionë euro nga rënia e inkasimit që është vlerë e madhe. Prandaj ju bëjmë thirrje qytetarëve që të kryejnë obligimet e veta në mënyrë që të kemi më të lehtë të funksionojmë dhe të kryejmë shërbime në këtë kohë pandemie”, thotë Ademi.
Fatura mujore për shërbimet që ofron kjo kompani është prej afër 5 euro.
Faturat e rrymës po paguhen
Derisa shumë qytetarë nuk paguajnë faturat e ujit dhe mbeturinave, faturat e energjisë nuk i lënë pa i paguar.
Zëdhënësi i Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike, Viktor Buzhala, thotë për Radion Evropa e Lirë se në fillim të pandemisë me koronavirus qytetarët nuk kanë bërë pagesat, por që tani gjendja është shumë më e mirë.
“Ne i kemi rreth 600 mijë konsumatorë ndonjë nga ta edhe mund të vonohet në pagesën e tyre, por në përgjithësi situata është normale duke u bazuar në rrethanat që i kemi me pandeminë”, thotë Buzhala.
Arsyet e mos pagesave, zyrtarë të kompanive, vlerësojnë të jenë bërë për shkak të kufizimit të orarit të lëvizjeve, pasi që në të shumtën e rasteve këto pagesa kryhen në zyrat e kompanive, por në disa raste mund të bëhen edhe online.
Po ashtu, përfaqësuesit e këtyre kompanive, thonë se mund të ketë pasur raste që këto fatura mund të mos jenë paguar për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, ku shumë qytetarë mund të kenë mbetur pa punë dhe pa të ardhura mujore, gjë që thonë ata ‘për raste të tilla kanë mirëkuptim’.
Pas pandemisë, borxhlinjtë shkyçen nga shërbimet
Mospagesa e faturave të shërbimeve që marrin qytetarët nga këto kompani vë në rrezik funksionimin e tyre.
Sokol Xhafa, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’, thotë se obligimet që qytetarët kanë ndaj kompanisë duhet t’i bëjnë, ose pas përfundimit të pandemisë do të marrin masa ndaj borxhlinjve.
“Në kohë të pandemisë nuk është se po ekzekutojmë shkyçje për shkak të mospagesës. Në momentin që përfundon pandemia dhe kthehet në normalitet situata, ne do t’i bëjmë thirrje konsumatorëve që të paguajnë dhe nëse ata nuk përgjigjen atëherë do të bëhet shkyçja ose do të fillojnë procedurat përmes përmbaruesve”, thotë Xhafa.
Kompanitë e shërbimeve komunale në Kosovë, në vazhdimësi kanë hasur në probleme të inkasimit të mjeteve nga qytetarët. Borxhet në këto kompani janë të mëdha edhe para situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.