Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott ka bërë thirrje që vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të Thaçit të respektohet nga të gjithë, pa marrë parasysh se çfarë do të jetë ai.
Përmes një statusi në Facebook, ai e ka quajtur “të rëndësishme” këtë javë në Kosovë, transmeton KOHA.
“Presim të dëgjojmë nga Gjykata Kushtetuese rreth hapave të radhës në procesin politik, pas kalimit të mocionit të mosbesimit në Kuvend. Me rëndësi është që vendimi të respektohet nga të gjithë”, ka shkruar ai.
Abbott ka paralajmëruar se vendimi do të rezultojë me ndryshime, të cilat mund të shpiejnë në “zgjedhje të reja, apo qeveri të re”.
“Disa do të jenë të kënaqur, tjerët të zhgënjyer, disa mund të jenë tejet të gëzuar, e tjerët të zemëruar”, shkruan ai.
Për Abbottin, çfarëdo të jenë reagimet, në interesin e Kosovës është që ndryshimi i tillë të ndodhë në mënyrë paqësore dhe të qetë, “pa retorikë të ekzagjeruar politike dhe pa kërcënim të dhunës”.
“Të gjithë liderët politikë në institucionet shtetërore apo partitë politike duhet të veprojnë për të siguruar që stabiliteti politik dhe siguria e Kosovës, ashtu si edhe reputacioni ndërkombëtar, nuk do të cenohen”, ka kërkuar ai.