Kosova do ta pësojë keq ekonomikisht

Nëpërmjet një konference për media dje, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka paralajmëruar se nga data 28 maj do të rihapen kishat dhe xhamitë e do të hiqet orari i kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, por hapja e ekonomisë ende mbetet e shtyrë për datën 1 qershor.

Në fazën e dytë të lehtësimit të masave kundër koronavirusit, e cila ka filluar më 18 maj – janë lejuar të fillojnë punën edhe disa aktivitete ekonomike, por me rregulla shumë strikte.

Hapja e kafeneve në shërbimin “merr-me-vete” dhe hapja e transportit urban e ndër-urban me leje të veçantë që nënkupton mbushtja e vetëm gjysmës së ulëseve ka bërë që këto biznese të mos mund të funksionojnë mirë.

Reklama e sponzorizuar

Në anën tjetër, vendet e tjera të rajonit kanë proceduar edhe me fazat e fundit të lehtësimit të masave, madje edhe me hapjen e plazheve dhe vendeve për turistë, pikërisht në kohën kur Kosova ende nuk e ka të qartë se çfarë do të ndodh me fazën e tretë të lehtësimit të masave.

E sa i përket aspektit të rimëkëmbjes ekonomike, vendet e rajonit kanë aplikuar edhe hapat e tretë të planeve strategjike, Kosova ende ka ngecur tek Pakoja Emergjente e papërfunduar.

Eksperti i Ekonomisë, Safet Gërxhaliu në një prononcim për lajmi.net është shprehur se vendet e rajonit janë shumë hapa përpara Kosovoës.

Ai shprehet se vendet e rajonit kanë ikur 2 ose 3 hapa para Kosovës dhe ky është një lajm i keq për ekonominë e vendit, duke thënë se sa më shpejtë duhet të hapet ekonomia dhe të rifillojë frymëmarrja ekonomike.

“Është mëse e vërtetë që vendet e rajonit kanë bërë shumë hapa përpara për të mbështetur sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik dhe më interesant është fakti se i kanë paraprirë kësaj me hapje të ekonomisë në formë graduale. Kosova është duke ngelur në çdo aspekt në hapin e rimëkëmbjes, derisa vendet e rajonit e kanë bërë hapin tretë dhe të katërt në mbështetje të qytetarëve, sektorit privat dhe ekonomisë dhe Kosova ende është në hapin e parë të pakos emergjente dhe kur më tej është fakti tjetër se edhe më tutje ekonomia është e mbyllur dhe vendimi duhet të rishikohet e sa më shpejtë të hapet ekonomia dhe fillimi i frymëmarrjes ekonomike në Kosovë të jetë realitet.”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

Më tutje, ai thotë se Kosova pas tejkalimit të pandemisë gjendet në një fazë të rrezikshme të pandemisë ekonomike dhe sociale, por politikanët duhet të kuptojnë këtë dhe t’a ndihmojnë sektorin privat.

“Ju po e shihni se sektori privat e ka pësuar më së shumti dhe sa më shpejtë që bëhet hapja, mund të kthehet funksionimi normal i ekonomisë dhe dihet se pas pandemisë Kosova do të hyjë në një pandemi ekonomike dhe sociale që do të jetë mjaft sfiduese dhe kur krejt kësaj i shtohet jo-stabiliteti ekonomik, Kosova gjindet në një sfidë të rrezikshme, por dua të besoj që politikanët në Kosovë të kuptojnë se mbi interesat e shtetit nuk mund të jenë politikat ekonomike.”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

Gërxhaliu tha më tutje se Kosovës do t’i duhet shumë më shumë kohë për rimëkëmbjen ekonomike dhe kthimin në gjendjen normale.

Ai shprehet se nëse fundi i vitit 2021 është afati kur vendet e rajonit do t’i sanojnë pasojat e koronavirusit, atëherë Kosovës do t’i duhet edhe një vit më tepër.

“Dhe nëse mendojmë t’i sanojmë pasojat nga koronavirusi, hapja e ekonomisë të ndodh sa më shpejt si vendet e rajonit, duhet të depolitizohet koronavirusi dhe të rihapet ekonomia. Ne ende nuk jemi në fazën e fundit dhe nuk kemi strategji dalëse e as pako stimuluese për mbështetje të sektorit privat dhe do të jetë shumë sfiduese, nëse vazhdon me këtë neglizhencë përballë pasojat kundër koronavirusit, nëse vendeve të rajonit iu duhet fundi i vitit 2021 atëherë Kosovës do t’i duhet edhe një vit më tepër.”, tha Gërxhaliu.

Faza e tretë e lehtësimit të masave në Kosovë përfshinë edhe hapjen e gastronomisë, transportit urban dhe ndërurban dhe aktiviteteve të tjera ekonomike por mbetet të shihet se çfarë do të ndodh.

Në anën tjetër, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi sot ka kërkuar që kafenetë të hapen më datë 18 maj kur planifikohet hapja e objekteve fetare dhe heqja e kufizimit të lëvizjes.

Gastronomët kanë deklaruar se dëmet nga pandemia janë të pariparueshme për ta, e në anën tjetër, transportuesit urban e ndër-urban kanë refuzuar të fillojnë punën me gjysmën e udhëtarëve.

Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i qeverisë në lidhje me këtë, por sipas asaj që dihet aktualisht – ekonomia do të mbetet e paralizuar deri më 1 qershor.