Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti së bashku me një pjesë të kabinetit qeveritar, janë takuar sot me përfaqësues të Asociacionit të Bizneseve në vend, me të cilit kanë diskutuar për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike, të shkaktuar nga pandemia COVID 19, raporton Gazeta Express.
Hoti para përfaqësuesve të Asociacionit të Bizneseve ka thënë se fondet do të shkojnë në vendin e duhur e do të japin efektin maksimal.
“Unë ju garantoj se si qeveri do ta keni krejt mbështetjen, për t’i dizajnuar më në detaje këto masa, gjatë fazës së implementimit do të punojmë bashkë për të siguruar se këto fonde shkojnë në vendin e duhur, aty ku e japin efektin maksimal. Janë të katër ministrat e resorëve ekonomik këtu. Do të duhet ta funksionalizojmë Këshillin Kombëtar për Zhvillim ekonomik, ta rishikojmë rregulloren përkatëse”, ka thënë ai.
Kryeministri ka shtuar se deri në vjeshtë do t’i kompensojnë familjet dhe bizneset që kanë humbur gjatë pandemisë.
“Orientimi jonë është që krijojmë një fond në të cilin i bëjmë bashkë një pjesë të konsiderueshme nga buxheti, nga projekte që s’kanë pasur mundësi që të përdoren ose mjetet që i kemi siguruar apo kemi marrë zotimet nga partnerët tanë, që do të kontribuojnë në fondin për rimëkëmbje ekonomike. Ministres së Financave i bien barra, dhe e ka funksionin shtetëror me qenë konservative sa i përket buxhetit, po orientimet tona do të jenë që deri në vjeshtë t’i kompensojmë familjes dhe bizneset që paku për pjesën që e kanë humbur gjatë pandemisë”, tha ai, derisa përmendi nëntë pikat e pakos.
“Pakoja që e kemi miratu si pjesë të programit qeverisës, edhe që iu është dërguar deputetëve i përfshin nëntë masa kryesore: lehtësimi i qasjes në financim, zvogëlimi i barrës tatimore, masat për mbështetje të punësimit (subvencionimi i pagës për punëtorët), bujqësia (dyfishimi i buxhetit për bujqësi), stimulimi i shpenzimeve të familjeve (kërkesa agregate) ndryshimi i ligjit për trustin pensional, ndihma për ndërmarrjet për mbulim të kostove minimale operative dhe financimi i projekteve afatgjatë përmes kredive ndërkombëtare, rishikimi i buxhetit për të krijuar bazën ligjore, komplet i dedikohet Bankës Qendrore, masa e fundit është përmbledhje e të gjithave është mobilizimi i fondeve”, ka thënë Hoti.
“Për fat të mirë ngadalë po duket se po dalim prej pandemisë, rastet na u kanë shtu. Shpresoj që nuk bëhen shumë serioze, shpresojmë që edhe ju dhe shoqëria do t’i përmbahemi në mënyrë më rigoroze udhëzimeve, në mënyrë që të mos kemi nevojë që të marrim masa kufizuese që do të na rrisin prap koston ekonomike”, shtoi ai.