Janë afër 20 mijë punëtorë që ende nuk i kanë marrë mjetet, siç është paraparë në Pakon Emergjente Fiskale.
Këtë e ka konfirmuar për Front Online, Agim Krasniqi nga Ministria e Financave.
E, ankesat kanë vërshuar drejt kësaj Ministrie, nga punëtorët që ende nuk i kanë marrë këto mjete.
Krasniqi për Front Online deklaroi se keqinformimi dhe keqpërdorimet, janë dy arsyet se pse këto mjete nuk janë derdhur ende në llogaritë e punëtorëve.
Problem po del të jenë edhe të dhënat e pasakta e gabimet me llogaritë e punëtorëve.
“Megjithatë deri para 1 javë e 10 ditë të gjitha aplikacionet janë trajtuar që kanë ardhur në kohë, dhe mund të them që pjesa e parë është paguar, për ata që nuk kanë pasur probleme me përjashtim të këtyre aplikacioneve të fundit që kanë ndodhur. Një pjesë në fund të procesit nuk janë paguar për shkak që baza ligjore që ka qenë e lejuar për ndryshime në strukturën e buxhetit mbi bazën e ligjit është shfrytëzuar maksimalisht”, ka thënë tutje zyrtari i Ministrisë së Financave.
Krasniqi theksoi edhe një problem në fillet e pagesave nga kjo Pako. Ai deklaroi se mungesa e fondeve po ashtu ishte problem në fillim.
Krasniqi: Së shpejti priten pagesat e dyta për punëtorët e sektorit privat
Javën e ardhshme ka gjasa që të përfundojë rishikimi i buxhetit në tërësi.
Sipas Agim Krasniqit nga Ministria e Financave, me përfundimin e rishikimit të buxhetit hapet rruga për përdorimin e fondeve për alokimin e mjeteve tek punëtorët.
“Prandaj është thënë prej fillimit që për t`u implementuar në tërësi Pakoja Emergjente, nevojitet që të ketë një proces të rishikimit të buxhetit. Ai proces është duke ndodhur tash dhe po shpresoj që javën e ardhshme do të përfundoj dhe do të miratohet në Kuvend dhe në momentin që miratohet në Kuvend, ne jemi siguruar që të gjitha masat që kanë filluar që të implementohen të kenë fondet në dispozicion dhe që të mos kenë nevojë më që në mungesë të bazës ligjorë të mos kryhen obligimet”, ka thënë tutje ai.
Krasniqi është shprehur optimist që pagesat e mbetura në gjysmë nga Pakoja Emergjente Fiskale, do të kryhen së shpejti.
“Unë besoj që në momentin e aprovimit të rishikimit të buxhetit do të kryhen menjëherë pagesat që nuk janë kryer për muajin e parë dhe pagesat e për muajin e dytë dhe të tretë për disa masa që janë, në mënyrë që me përmbyll komplet Pakon Emergjente”, ka deklaruar ai për Front Online.
Pagesat e subvencionimit të qirave për biznese, do të kryhen pas rishikimit të buxhetit
Në Pakon Emergjente që Qeveria e kaluar kishte paraparë, ishte edhe subvencionimi për qiratë e bizneseve private për të cilën ishte paraparë që 50 për qind e pagesës të kryhej nga kjo ministri, vlerë kjo që kapë shumën prej 12 milionë eurove.
Për këtë, Agim Krasniqi nga Ministria e Financave në një intervistë për Front Online tha se deri më tani është kryer pagesa vetëm për një pjesë të vogël, ndërsa pjesa tjetër e pagesës, sipas tij pritet të paguhet pas rishikimit të buxhetit.
Zyrtari nga kjo ministri pohoi se edhe gjatë procedurës së aplikimit, komisioni për verifikimin e këtyre rasteve, kishte hasur në shumë parregullsi.
“Është paguar vetëm një pjesë shumë e vogël, por pjesa tjetër e madhe do të paguhet besoj pas rishikimit. Edhe me komision e kemi qartësuar saktësisht. Aty komisioni ka paraqitur shumë informata të gabuara. Dikush ka vendosë shifra gabim, në vend që me e vendos shifrën e qirasë, e ka vendosë numrin personal. Dikush ka vendos numra 10 fish më të mëdhenj në krahasim me atë që është paguar. Ajo që ne e kemi biseduar me komisionin është që ata me u përgatit. Në momentin që kryhet procesi i rishikimit, hapi i parë ka me qenë që me u paguar të gjitha qiratë mbi bazën e deklarimit që e kanë bërë në ATK në tatimin për qiranë”, deklaroi Krasniqi për Front Online.
Përkrahja për kompanitë eksportuese do të duhej të futej te Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike
Ish-ministri i Financave, Besnik Bislimi kishte paraparë që në Pakon Emergjent Fiskale të përkrahen edhe kompanitë eksportuese që janë goditur nga pandemia, ndihma e së cilave do të shkojë deri në 10 milionë euro.
Agim Krasniqi për Front Online tha se pagesa për këtë kategori nuk ka filluar të zbatohet.
Megjithatë, ai vlerëson se kjo kategori do të duhet të futej te Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike, e jo në atë Emergjente.
“Nuk ka lëviz aty asgjë. Prandaj thash që kjo masë nuk është dashtë me qenë te Pakoja Emergjente por duhet të kalojë tek Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike. Edhe kjo dhe sektorë tjerë të caktuar që janë brenda programit të qeverisë, do të hapen dritare të reja përmes të cilave ne do t’ua mundësojmë që të kenë qasje më shpejtë dhe më ekonomike në mënyrë që të ndihmohen”, tha më tutje ai.
Krasniqi: Shumë keqpërdorime të bizneseve për pagesën nga Pako Emergjente
Ish-ministri i Financave, Besnik Bislimi, ishte ankuar se gjatë kësaj kohe bizneset po e keqpërdorin mundësinë e Pakos Emergjente Fiskale.
Për këtë Agim Krasniqi nga kjo Ministri për Front Online thotë se ka pasur raste kur edhe pronarë të bizneseve kanë nënshkruar kontrata me anëtarët e familjeve të tyre.
“Këtë gjë e ka thënë ish-ministri, dhe ai ka pas më shumë informacion se unë dhe gjithë të tjerët. Ai thënë se ka pas keqpërdorime. E ka përmend një person që ka aplikuar 20 e ca herë. ka përmend raste kur një ndërmarrje e ka fut krejt familjen e tij. Bile ka pas informata që i kanë fut edhe fëmijët, pavarësisht që thuhet se do të përcillet edhe duhet të kryhen obligimet për një vit në trustin pensional”,pohoi Krasniqi.
Ai madje përmend edhe kompani për të cilat thotë se gjatë muajve të masave të ndërmarra për pandeminë Covid-19, nuk kanë pasur humbje, por që sipas tij, të njëjtit përveç fitimit me biznesin e tyre, kanë përfituar edhe nga kjo Pako.
“Ka pas firma që ne e dimë që jo vetëm që nuk kanë pasur humbje, por ato kanë pasur edhe fitim, por, megjithatë, me urdhër të qeverisë është dashur të kompensohen. Shembull sektori i restoranteve brenda kompanitë e mëdha ose sektori i shitjes/veshmbathjes që e kanë bërë kompanitë, pavarësisht që kanë pasur fitim shumë të madh, realisht kanë paraqitur tani 70-80 % të punëtorëve për të përfituar në emër të asaj pjese të vogël”, deklaroi më tutje Krasniqi për Front Online.
Kësisoj, Krasniqi përmend edhe rastet kur pronarët ua kanë paguar pagën punëtorëve, pasi që janë paguar edhe nga Qeveria e Kosovës, të njëjtit, sipas tij, u kanë kërkuar punëtorëve t’ua kthejnë ato mjete atyre.
“Ka raste edhe tjera, kur pronarët ua kanë paguar pagën punëtorëve. Dhe kur e kanë marrë gjysmën tjetër të pagës, punëtorëve u kanë kërkuar t’ua kthejnë mjetet. Realisht nuk ish dashtë të jetë ashtu sepse ata që kanë zhvilluar aktivitet i kanë paguar punëtorët dhe nuk është dashtë të aplikojnë fare. E në mesin e tyre janë edhe disa mediume”, tha më tej Krasniqi për Front Online.
Sipas Krasniqit nga Ministria e Financave, rastet si këto do të verifikohen se ku saktësisht ka pasur keqpërdorime të tilla.
Krasniqi: 200 milionë euro pritet të sigurohen nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike
Agim Krasniqi nga Ministria e Financave për Front Online thotë se procesi i rishikimit do t’i zgjedh problemet e të gjitha masave që kanë filluar të implementohet.
“Ne presim që 80 deri në 100 milionë euro të ekzekutohen shpejt. E dyta, nuk do t’i shkurtojmë projektet kapitale, por për shkak të dinamikes në realizim do të shkurtohet vetëm shuma. Pasi që përmes sektorit publik dhe investimeve kapitale po dëshirojmë të ndihmojmë. Pasi këto punë do t’i kryej sektori privat. Dhe është qasje shumë e shpejt”, tha ai.
Krahas kësaj, Krasniqi thotë se është paraparë të ndahet një fond për garantim të kredive për sektorët ekonomikë që kanë pësuar humbje.
“Por ajo që unë mendoj që është pozitive, është që përkundër që e kemi bërë garantimin e kredive, ende nuk ka një shifër, por që besoj që do të jetë mes 70-80 % që qeveria ka me i marrë për obligim. Për kundër që ne i kemi marrë obligimet me i subvencionuar normat e interesit për 50 %, ndoshta për disa sektor që prapë do të definohet me planin për veprim, deri në 100 %, shembull në sektorin e bujqësisë”, shtoi Krasniqi për Front Online.
Ai pohoi se 200 milionë euro pritet të sigurohen përmes Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike.
“Kemi biseduar edhe me fondin për garantim të kredive, që kërkesa që është për kredi, në kushtet më të volitshme do të plotësohet komplet me këtë program. Besoj që në bazë të informatave që i kemi kërkesa tani për tani në treg janë rreth 200 milionë euro. Dhe atë 200 milionë euro e sigurojmë përmes fondit për rimëkëmbje ekonomike, që asnjë pengesë nuk do të jetë në kuptimin që e gjithë sektori privat që është i përgatitur në të gjitha fushatë që ne me i marrë obligimet për garantim të kredive dhe subvencionim të normave të interesit”, tha më tej Krasniqi për Front Online.