Ahmeti lut politikanët të gjejnë zgjidhje për të mirën e qytetarëve

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dal me lutje për deputetët dhe politikanët që sa më parë të dalin me pako substanciale ekonomike për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset e prekura nga koronavirusi.

Ahmeti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se deputetët nuk do të duhej të dilnin nga salla e Kuvendit pa gjetur një zgjidhje për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare financiare.

Dje, Kuvendi dështoi t’i miratonte marrëveshjet ndërkombëtare, pasi nuk kishte kuorum.

Reklama e sponzorizuar

“E lus çdo politikan me ndërgjegje, Qeverinë, Kuvendin, e partitë politike që veç ta mendojnë se ka shumë njerëz që po mendojnë se kur kanë me i marrë 170 euro për me i pagu një pjesë të borxheve. Ka shumë biznese që po presin se kur ka me pas një ndihmë për me mbijetu ekonomikisht familja, e shumë të tjerë që po mendojnë për shpenzimet shëndetësore, pagesën e rrymës, e datën e këstit të kredisë. Këtë, posaçërisht ju lus ta mendoni kur i humbni më shumë se tetë orë në ditë tu këqyr qysh me ja lëshu një kunxh partisë tjetër për me tregu qysh ju e keni pas mirë e ata keq.

Më falni, por nuk ka kurrfarë arsyetimi me u vonu diskutimi dhe vendimi për pako ekonomike. Ky Kuvend nuk është dashur me dal prej sallës derisa ta arrijë kompromisin për një pako substanciale ekonomike. Ditë e natë. Kur nuk merren vesh për 62 milionë të marrëveshjes me Institucionet Financiare Ndërkombëtare, sinjali është që gjasat me kalu pakoja prej 1.2 miliardë është minimale”, ka shkruar Ahmeti.

Qeveria Hoti në programin e saj ka paraparë të mobilizojë 1.2 miliardë euro për të rimëkëmbur ekonominë, duke llogaritur edhe në ndihmat e huat nga institucionet ndërkombëtare, për të cilat duhet ratifikim në Kuvend.

“Me rëndësi, pagat po iu ecin. Por si krejt politikanët, një ditë kena me ec prej shpije e s’ka me iu dëgju askush. Qysh jeni duke vepruar, po shpresoj që kjo ditë vjen më shpejtë”, ka thënë ai.