Lehtësimi i masave kufizuese ka bërë që Europa të shohë një rritje të rasteve javore të Covid-19 për herë të parë në muaj, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Në 11 vende, ku përfshihet edhe Shqipëria dhe Kosova, ka pasur një transmetim të përshpejtuar, i cili ka çuar në ‘rigjallërim shumë domethënëse”, tha drejtori rajonal i OBSH, Hans Henri Kluge.
“Nëse lihet i pakontrolluar”, ai paralajmëroi se sistemet shëndetësore do të gjenden në situatë të vështirë sërish.
“Për javë të tëra, kam folur për rrezikun e rigjallërimit pasi vendet lehtësojnë masat. Në disa vende të Europës, ky rrezik tani është bërë realitet, në 30 vende numri i rasteve të reja në javët të fundit është rritur”.
Të 11 vendet dhe territoret e identifikuara nga OBSH janë Armenia, Suedia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Azerbajxhani, Kazakistani, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kirgistani, Ukraina dhe Kosova.
Me gjithë paralajmërimin për rishfaqjet, OBSH parashikon që situata do të qetësohet më tej në pjesën më të madhe të vendeve gjatë verës.
“Por ne me të vërtetë duhet të përgatitemi për vjeshtën, kur Covid-19 mund të takojë gripin sezonal, pneumoninë, sëmundje të tjera gjithashtu, sepse në fund të fundit, virusi ende qarkullon në mënyrë aktive në komunitetet tona dhe nuk ka trajtim efektiv, nuk ka vaksinë efektive, ende”./BBC