Nisin hetimet rreth vdekjes së 6 personave në Infektive

Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke hetuar vdekjen e gjashtë personave në Klinikën Infektive në Prishtinë në orët e hershme të së dielës.

Të dielën është raportuar se pesë persona të infektuar me COVID-19 kanë vdekur në orët e hershme të së dielës, ndërsa ka pasur dyshime se shkaku ka qenë te në defekt në furnizim me oksigjen.

Reklama e sponzorizuar

“Raportohet se në Kliniken Infektive në Prishtinë kanë vdekur gjashtë persona që të gjithë kosovar. Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rasti është duke u hetuar”, është shkruar në raportin e policisë.

Ministria e Shëndetësisë nuk kishte dhënë detaje rreth rrethanave të vdekjes së pesë prej tyre. Përmes një reagimi për media, MSH-ja kishte bërë thirrje të priten rezultatet e hetimeve nga institucionet përgjegjëse.

Infektivja u rrethua nga policia, mëngjesin e së dieles. Në Ministrinë e Shëndetësisë u tha se dyshimet u ngritën pasi që vdekjet ndodhën brenda një afati të shkurtër kohor.