Prodhuesit e qumështit në Kosovë të shqetësuar nga vështirësitë në kohë pandemie

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka pritur sot përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre dhe vështirësitë me të cilat po përballen në këtë kohë pandemie.

Ministri Krasniqi theksoi në takim se fokus i tij dhe ministrisë që drejton janë prodhimet vendore dhe se mbështetja ndaj prodhuesve nuk do të mungon e sidomos në këto kohë të pandemisë.

Reklama e sponzorizuar

“Pas rishqyrtimit të buxhetit të Kosovës, do të nisë së zbatuari programi për rimëkëmbje ekonomike dhe në këtë formë bizneset do të mbështeten nga Qeveria e Kosovës. Angazhimi në mbrojtje dhe mbështetje të bizneseve është dhe do të mbetet prioritet”, ka deklaruar ministri Krasniqi.

Ndërkohë kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Milazim Berisha, ka falënderuar ministrin për gatishmërinë e treguar. Berisha ka përmendur edhe konkurrencën jo lojale që është prezent në tregun vendës.

Ministri u zotua se bashkë me inspektorë dhe ekspertë të industrisë së ushqimit do të dalë në terren për të parë nga afër problemet e ngritura nga prodhuesit e qumështit.