Ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi, ka pritur sot drejtorin ekzekutiv të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, me të cilin ka diskutuar lidhur me mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Siç thuhet në komunikatën për media, Mazreku e ka njoftuar ministrin Abrashi lidhur me disa çështje që bien në fushëveprimin e rregullimit nga Ministria e Infrastrukturës, ndër të cilat: Domosdoshmërinë e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Automjetet; Nevojën për rishikimin e Strategjisë Rrugore dhe Planin e Veprimit; Digjitalizimi i sigurisë së rrugëve, dhe; Zhvillimin e fushatave të përbashkëta për rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për sigurinë në trafik.
Ndryshimet legjislative përkatëse përfshijnë vlerësimin e heqjes së pengesave dhe kushtëzimeve të ndryshme për qytetarët në regjistrimin e mjeteve motorike, siç janë ato të pagesës së gjobave dhe taksave komunale, bartjen e periudhës së regjistrimit në pronarin e ri në rastin e shitblerjes së mjetit motorike dhe çështje të tjera të ngjashme.
Rishikimi i Strategjisë Rrugore dhe Planit të Veprimit ka për qëllim përfshirjen më të gjerë të palëve të interesit në dhënien e kontributit të tyre në marrjen e masave efikase për të krijuar siguri më të lartë për qytetarët, ku do të kenë mundësinë e përfaqësimit në këtë proces edhe përfaqësuesit sektorialë, organizatat përfaqësuese të kontrolleve teknike, autoshkollave dhe të tjerë.
Sa i përket digjitalizimit, duke qenë se në vitet e fundit, sipas statistikave zyrtare, numri i mjeteve motorike të pasiguruara e të paregjistruara është rritur dukshëm, do të vendosen pajisjet digjitale të cilat do të detektojnë këto mjete nëpër të gjitha hyrje-daljet e qyteteve të Republikës së Kosovës dhe brenda tyre. Ndërkaq, fushatat do të fokusohen në rritjen e vetëdijes së qytetarëve në respektimin e të drejtave dhe detyrimeve të tyre gjatë pjesëmarrjes në trafik.
Për realizimin e këtij bashkëpunimi, palët janë zotuar që në ditët në vijim të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi ku do të trajtohen temat si më sipër dhe përgjegjësitë institucionale në këtë drejtim.