Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) ekonomia arabe pritet të tkurret me 5,7 për qind dhe të pësojë humbje të të ardhurave prej 152 miliardë dollarësh.
OKB-ja në raportin e publikuar mbi efektin e COVID-19 ndaj vendeve arabe me një popullsi prej 436 milionë banorësh, tërhoqi vëmendjen se pandemia do të ketë rezultate të thella dhe afatgjata në rajon.
Raporti thekson se Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikimet ekonomike për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut i ka zbritur në nivelin më të ulët në 50 vitet e fundit për shkak të pandemisë dhe uljes së çmimit të naftës. Bëhet e ditur se bursa arabe ka humbur një vlerë prej 23 për qind.
Sipas raportit numri i njerëzve të varfër pritet të tejkalojë shifrën prej 115 milionë pasi edhe 14,3 milionë persona do të varfërohen, që është sa një e katërta e popullsisë totale arabe. Më tej thuhet se rajoni mund të përballet me mungesën e ushqimit ose rritjen e çmimeve të ushqimit.
Raporti më tej bën të ditur se për shkak të pandemisë ekonomia arabe pritet të tkurret me 5,7 për qind dhe të pësojë humbje të të ardhurave prej 152 miliardë dollarësh. Sipas vlerësimeve të Organizatës Ndërkombëtare të Punës në pjesën e dytë të vitit 2020 të paktën 17 milionë njerëz mund të mbeten pa punë ndërsa pandemia më së shumti do të ndikojë tek migrantët që përbëjnë 40 për qind të popullsisë së rajonit.
Gjithashtu sipas raportit 55,7 milionë njerëz prej të cilëve 26 milionë të zhvendosur kanë nevojë për ndihma humanitare ndërsa 74 milionë njerëz për shkak të problemit të qasjes në ujë, mjetet higjienike dhe llavabo janë në rrezik të lartë për t’u infektuar nga COVID-19.
Në vendet arabe, sipas raportit, mbi 823 mijë persona janë prekur nga koronavirusi ndërsa mbi 14 mijë kanë humbur jetën.