Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shpreh kundërshtinë me rrjedhjen e procesit përzgjedhës për Avokatin e Popullit në Kuvendin e Kosovës.
GLPS-ja përmes një reagimi për media thotë se procesi po përcillet me defekte serioze ligjore, me mungesë transparence dhe vendime prapa dyerve të mbyllura.
“Edhe pse GLPS që një kohë të gjatë u ka propozuar Komisionit për të Drejtat e Njeriut një metodologji të krahasuar se si zhvillohet një proces i tillë në vende të zhvilluara demokratike, dhe se si të bëhet një proces i tillë i bazuar në kritere objektive dhe të matshme, shumica e anëtarëve dhe kryetarja e komisionit në vazhdimësi e kanë refuzuar një propozim të tillë. Mënyra se si i zhvillua intervistimi formal me kandidatë ditën e djeshme nga Paneli Vleresues i Komisionit për të Drejtat e Njeriut ishte tërësisht joprofesional, i shoqëruar me pyetje të gjera që nuk kanë asnjë signifikancë serioze në identifikimin e profesionalizmit të kandidatëve dhe në një diskrecion total për anëtarët që sipas ‘bindjes së tyre politike’ të gjykojnë se cilët kandidatë janë më të pershtatshëm për pozitën e Avokatit të Popullit”, thuhet në reagimin e GLPS-së.
Thotë se paneli vlerësues nuk ka dhënë asnjë përgjigje se çfarë vlerësuan dhe pse kandidatët e mbajtur fshehtë nga ta janë përzgjedhur në listë të ngushtë.
“Një fakt i tillë është seriozisht shqetësues dhe në kundërshtim të plotë me ligjin për Avokatin e Popullit, i cili insiston në një proces objektiv përzgjedhës”, thotë GLPS-ja.
Për më tepër, thuhet në reagimin e GLPS-së, Paneli Vlerësues e mbylli për monitoruesit e shoqërisë civile dhe ata ndërkombëtar mbledhjen e Panelit Vlerësues kur erdhi momenti i dhënies së pikëve dhe vendosjes.
“Një moment i tillë është krucial për transparencën dhe integritetin e procesit. Pse duhet Paneli Vlerësues të përjashtoj shoqërinë civile nga momenti i vënies së pikëve? Pse duhet që Paneli Vlerësues të mos ketë as edhe një kriter të vetëm profesional që ndërlidhet me indikator të matshëm për të vlerësuar përshtatshmërinë e kandidatëve? Si është e mundur të ndodh përjashtimi i shoqërisë civile në një mënyrë të turpshme nga monitorimi i procesit? Si është e mundur që një proces serioz i intervistimit të zhvillohet mbi bazën e një numri pyetjesh që më shumë i ngjajnë një përshkrimi të përgjithshëm sesa një procesi vlerësimi. Për këto pyetje ka vetëm një përgjigje: kultura e kapjes, e shoqëruar me një tendencë serioze të manipulimit të fshehur, që është shndërruar në normalitet në Republikën tonë”, thuhet në reagim.
Prandaj, GLPS-ja kërkon nga Kuvendi të anuloj këtë proces dhe ta ri-zhvilloj në përputhje me Memorandumin e nënshkruar me Ambasadën Britanike, ku ekspertët britanikë do të jepnin një vlerësim objektiv për secilin kandidat; dhe me një pjesëmarrje të pakufizuar e jo-përjashtuese ndaj shoqërisë civile e organizatave ndërkombëtare.