Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sot ishte ftuar që të raportonte para Komisionit të Kuvendit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Megjithatë një mbledhje e tillë ka përfunduar para kohe, meqë Veliu ua ka konfirmuar anëtarëve të Komisionit që nuk do të mund të qëndrojë më gjatë se 45 minuta në raportim si pasojë e mbledhjes së Qeverisë.
Një fakt i tillë e ka nervozuar deputetin e VV’së, Rexhep Selimin, i cili ka thënë se 45 minuta janë të pamjaftueshëm për raportim.
“Ju lutem z.Veliu, nuk jeni në konferencë për shtyp me folë 45 minuta, por jeni para Komisionit. Është e papranueshme me ardhë me bo shou këtu për 45 minuta”, ka thënë Selimi.
Veliu i është përgjigjur menjëherë duke i thënë se e di se ku është dhe çfarë bën.
“Z.Selimi hiq mos u merakosni për atë punë”, ka thënë Veliu.
Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, e ka marrë fjalën teksa ka treguar se ka qenë e pamundur që të ketë një koordinim sa i përket kohës së raportimit prej 45 minutave, dhe ka treguar se ka pasur mospajtime brenda anëtarëve të Komisionit rreth asaj nëse do të duhet të mbahet mbledhja e Komisionit ose jo.
Ganimete Musliu e PDK’së ka thënë se mënyra se si Mullhaxha e ka organizuar një raportim të tillë me qëllimin e vetëm për të dështuar.
Në fund është mbyllur mbledhja, dhe Agim Veliu është shprehur i gatshëm që të raportoj në një rast tjetër kurdo që ftohet.