Deklaratat e tregtarëve të energjisë elektrike në Europë janë tepër të frikshme

Mbajtja e dritave ndezur në Europë këtë dimër mund të jetë më e vështirë sesa deklarojnë qeveritë aktualisht.

Çdo javë, njerëzit që tregtojnë energji elektrike në Mbretërinë e Bashkuar mund të bëjnë pyetje ndaj menaxherëve të rrjetit kombëtar të energjisë në një takim që zgjat një orë. Kjo konferencë, e cila mund të monitorohet nga çdokush, ofron një pasqyrë të të gjitha shqetësimeve të njerëzve që janë në vijën e parë të tregut të energjisë. Gjërat që ata thonë po bëhen më të frikshme, nga java në javë. Të gjithë indikatorët tregojnë se mbajtja e dritave ndezur këtë dimër do të jetë shumë më sfiduese nga sa po deklarojnë qeveritë europiane.

Çmimet janë mjaft shqetësuese. Familjeve britanike iu tha të premten se faturat e energjisë dhe të gazit do të rriten nga 1 tetori me 80%. I ashtuquajturi “kufiri i çmimit të energjisë” u vendos në 3,549 £ (4,189 dollarë) në vit, nga 1,971 £ që ishte gjatë gjashtë muajve të fundit dhe 1,277 £ gjatë dimrit të kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Por, telekonferenca e industrisë tregon se problemi është më i gjerë sesa thjesht rritja e kostove. Gjithnjë e më shumë, fjalët “emergjencë” dhe “mungesa” po përdoren në këto takime, me pjesëmarrësit që tashmë po fokusohen te fakti se kur, dhe jo nëse, do të godasë kriza. Imagjinoni sikur të ishit në gjendje të dëgjonit bisedat midis drejtuesve të Wall Street dhe Rezervës Federale në kohën kur po fillonte kriza financiare globale në vitin 2008.

Ja një pyetje nga sesioni i javës së kaluar: “A jeni gati për të vënë në zbatim strategji të ngjashme me ato të një kohe lufte, nëse/kur tregtia ndërkufitare e energjisë të shkojë në kolaps si pasojë e presioneve të sigurisë së furnizimeve për këtë dimër?” Dhe një pyetje tjetër: “A mund të zhvillojmë një seancë ku të flasim për përgatitjet për situatën e emergjencës?” Një tjetër pjesëmarrës tha se parashikimi për bilancin e kërkesës dhe të ofertës së energjisë elektrike tregon “se sa i keq mund të jetë ky dimër për këdo që di të bëjë llogaritë”.

Një ndërhyrje tjetër në këtë takim ishte tepër demaskuese. “Bazuar në tregjet ku po tregtohen produktet e dimrit të vitit 2022, ku ju pozicionojnë këto rrethana për të siguruar energji gjatë dimrit?” pyeti një pjesëmarrës. Në tregun e kontratave të së ardhmes, energjia në Mbretërinë e Bashkuar për dhjetorin e vitit 2022 po i afrohet me shpejtësi shifrës 1,000 £ për megavat orë, 50% më shumë se çmimet aktuale. Pse? Për shkak të mungesës së pritshme të energjisë elektrike.

Krahasoni me këto deklarata tonin këmbëngulës të qeverisë britanike se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. “Familjet, bizneset dhe industria mund të kenë besim se do të kenë furnizimet që i nevojiten me energji elektrike dhe me gaz përgjatë dimrit”, tha Downing Street në fillim të kësaj jave. “Kjo për shkak se ne kemi një nga sistemet më të besueshme dhe më të larmishme të energjisë në botë.”

Ky takim i përjavshëm njihet zyrtarisht si “Forumi i Transparencës Operacionale ESO” dhe u jep mundësi pjesëmarrësve në treg që të shtrojnë pyetje ndaj menaxherëve të të ashtuquajturës Qendra Kombëtare e Kontrollit të Energjisë Elektrike, e cila siguron furnizimin me energji në mbarë Mbretërinë e Bashkuar, nga gjeneratorët e deri te tregtarët dhe konsumatorët. Forumi zakonisht merret me problemet në tregjet e energjisë. Por, në javët e fundit, vëmendja është zhvendosur drejt menaxhimit të krizës.

Një nga shqetësimet kryesore është se çfarë ndodh nëse vendet europiane fillojnë të ndjekin politikat proteksioniste, duke ndërprerë flukset ndërkufitare të energjisë elektrike, një plan që Norvegjia ka deklaruar se po e shqyrton.

Një tjetër temë diskutimi është se sa mund të bjerë konsumi nëse familjet dhe bizneset nuk mund të përballojnë çmimet e larta të energjisë elektrike dhe të gazit. “Çfarë niveli të uljes së kërkesës po parashikoni për dimrin e ardhshëm nga konsumatorët industrialë të tregtisë, si përgjigje ndaj çmimeve të larta?” ishte një nga pyetjet e fundit. Menaxherët e rrjetit nuk ishin në gjendje të ofronin shifra konkrete në përgjigje të kësaj pyetjeje.

Për të qenë sa më të sigurt, këto takime duhet të fokusohen te problemet që mund të kemi në të ardhmen – qëllimi i tyre është që t’u dalin problemeve dhe që t’i zgjidhin ato. Emergjenca e krizës së energjisë është shumë më e rëndë se sa pranojnë publikisht drejtuesit e industrisë, dhe shumë më e rrezikshme nga sa pranon qeveria. Çmimet e larta janë një problem i madh, por edhe siguria e furnizimeve të mjaftueshme mbetet e rrezikuar. Dhe së fundi, koha për t’u përgatitur përpara se temperaturat të fillojnë të bien, po mbaron./ Bloomberg