Punëtorët e Telekomit dalin kundër privatizimit

Ka 40 vjet që Milazim Alshiqi punon në Telekomin e Kosovës. Ai thotë se është kundër privatizimit të kësaj ndërmarrjeje, raporton KTV. E, nëse veç do të bëhej privatizimi, ai shton se duhet një analizë më e thellë.

Për ofertën e ministrit Valdrin Lluka për pakon financiare për punëtorët që vullnetarisht largohen nga vendet e tyre të punës pas privatizimit, Alshiqi ka thënë se duhet të shqyrtohet.

Ndërsa, në “Interaktiv” të KTV-së, të mërkurën, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se parashikohet një “pako atraktive financiare” për punëtorët që vullnetarisht duan të largohen nga vendet e tyre të punës në Telekom, pas privatizimit.

Reklama e sponzorizuar

Lluka ka shpjeguar procesin që do të çojë te privatizimi, i cili, sipas tij, do të ndodhë kah fundi i vitit, teksa në gjashtë muajt e parë fokusi do të jetë në ristrukturim.

Kjo parasheh shkurtim stafi dhe pagash.

Ndërsa, nga Sindikata e Punëtorëve të Telekomit, kanë thënë se janë kundër privatizimit dhe se kjo nuk duhet fare të përmendet derisa të dalin para drejtësisë ata që e kanë sjellë në këtë gjendje këtë ndërmarrje.

Ishte kryeministri Ramush Haradinaj ai i cili njoftoi këtë javë që do të privatizojnë Telekomin e Kosovës pasi kabineti qeveritar miratoi këresën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Ndërkohë, janë katër kompani ndërkombëtare që janë interesuar për të privatizuar Telekomin e Kosovës. Kompania më e zëshme në garë, ka qenë kompania Artillery One. Përfaqësues të kësaj kompanie, u takuan me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn gjatë ditës së djeshme.

Vetëm njëri prej tyre është Ish Sekretari i Brendshëm dhe Kongresmeni i Shteteve të Bashkuara Ryan Zinke është bashkëngjitur si Drejtor Menaxhues i kompanisë ‘Artilery One’, para pak javësh. Zinke ka shërbyer si Komandant i Navy Seals, përfshirë edhe gjatë luftës në Kosovë, para një karriere të gjatë në shërbim publik, e cila arriti kulmin kur ai u emërua Sekretar i Brendshëm i Administratës Trump.

Para kësaj pozite, Zinke ishte pjesë se Senatit të Montana’s dhe më pas Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, ku ai ishte anëtar i Komitetit të Resurseve Natyrore dhe Komitetit të Shërbimeve të Armatosura.

Për më tepër, ai konsiderohet si një ndërmarrës i suksesshëm me përvojë në menaxhim të pronave dhe zhvillim të biznesit me kompaninë e konsulencës, ‘Continental Divide International’.

Me këtë rast, zyra e Kryeministrit Haradinaj, nuk njofton saktësisht se për çka është biseduar në takim. Por në kumtesë shkruan vetëm se ai i njoftoi përfaqësuesit e ‘Artillery On’e për hapësirën që ofron Kosova për investime të huaja.

“Me rritjen ekonomike më të madhe në rajon, zvogëlimin e tarifave tatimore, reformat thelbësore në sundim të ligjit dhe ato fiskale, si dhe me ligjin për investime strategjike, Kosova ka hyrë në hartën e vendeve atraktive dhe të sigurta për investitorët e huaj”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova tashmë është kthyer në një adresë të besueshme për investime amerikane”, përfundon kumtesa e Qeverisë.