Arrestohen katër persona, nuk respektuan masat kundër koronavirusit

Policia e Kosovës njofton se më 31 korrik ka arrestuar katër persona në rajonin e Mitrovicës dhe Gjakovës, të cilët nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për të parandaluar përhapjen e mëtejme të koronavirusit.

Sipas raportit 24-orësh të policisë, një person është arrestuar në Komunën e Gjakovës, pasi kishte organizuar një aheng familjar me 27 persona të pranishëm. Ai pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është liruar.

Qeveria e Kosovës ka ndaluar të gjitha tubimet publike, përfshirë ahengjet familjare private, si dhe grumbullimin e më shumë se pesë personave në sheshe publike, parqe e të tjera.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, një person në fshatin Skivjan të Gjakovës është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje prej 48-orësh, pasi ka hapur lokalin pas orës së lejuar.

Në Kosovë, sipas vendimit të qeverisë të datës 28 korrik, sektori i gastronomisë e ka të ndaluar që të punojë nga ora 22:30 deri në orën 05:00.

Ndërkaq, një person në fshatin Shupkovc të Mitrovicës dhe një në qytetin e Mitrovicës, po ashtu janë arrestuar për shkak se kanë ushtruar veprimtarinë e tyre në pishina.

Sipas masave të marra nga Qeveria e Kosovës, veprimtaria e pishinave është e ndaluar. Përjashtim bëjnë pishinat e mbyllura.

Deri më tani, në Kosovë janë regjistruar 8,330 raste me koronavirus. Prej tyre, 226 persona kanë vdekur dhe 4,578 janë shëruar.