Ish-bordi i përkohshëm i drejtorëve të “Hidroregjionit Jugor” përmes një komunikate për media ka thënë se arsyetimi për shkarkim nuk qëndron dhe si i tillë është i pa bazë, pasi, sipas ish-bordit, kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore për procesin e rekrutimit, si dhe rekomandimin e Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike dhe Ministrisë për Ekonomi dhe Ambient.
“Me datën 04 gusht 2020 Qeveria e Republikës së Kosovës ka shkarkuar Bordin e përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes K.R.U. Hidroregjioni Jugor Sh.a. Prizren me arsyetimin se nuk e kanë përfillur rekomandimin e Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike për pezullimin e procedurave të rekrutimit të pozitave të larta në ndërmarrjen publike, duke e justifikuar këtë kërkesë që duhet pritur deri në fillimin e zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar me Ambasadën Britanike për asistencë në përzgjedhje meritore të pozitave të larta dhe udhëheqëse në Ndërmarrje Publike Qendrore dhe Agjencione Qeveritare”, thuhet në komunikatë.
Tutje bëhet e ditur se bordi në takimin e mbajtur me datën 16 korrik 2020, ka shqyrtuar kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit për pezullim e procesit rekrutues, ku kemi marrë vendim për Pezullim të Përkohshëm të proceseve te rekrutimit, ku ky pezullim do të vlejë deri të krijohet mundësia e asistencës së Ambasadës Britanike në proceset e rekrutimit të Kryeshefit Ekzekutiv të KRU ”Hidroregjioni Jugor”Sh.A.
“Krejt kjo duke u bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit për pozitat e larta drejtuese të nënshkruar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar me datë 02 korrik 2020. Pas këtij pezullimi ne ju drejtuam me shkresë zyrtare Ambasadës Britanike me datën 23 korrik 2020 për mbështetje profesionale në emër të rekrutimit të Kryeshefit Ekzekutiv, Ambasada Britanike na është përgjigjur po në atë datë se e mirëpresin një kërkesë të tillë mirëpo ishin në procedura prokuruese për vazhdimin e projektit dhe për këtë periudhë kishin buxhet të limituar dhe kohë të pamjaftueshme për t’u angazhuar në të gjitha proceset”, thuhet në komunikatën e ish-bordit. “Megjithatë Ambasada na informoi që e kanë një projekt të monitorimit në implementim me organizatën jo-qeveritare BIRN e cila monitoron proceset rekrutuese në Institucionet Publike. Ambasada na inkurajoi që nëse ne dëshirojmë të jemi transparent dhe të kemi proces të hapur rekrutues BIRN mund të përfshihet në monitorim dhe të raportojnë në mbarëvajtje të procesit. Duam të ju njoftojmë që deri në atë moment konkursi ka qenë i mbyllur dhe ende asnjë aplikacion nuk ishte shqyrtuar deri në njoftimin e radhës të Ambasadës”.
Tutje konfirmohet se me datë 2 gusht 2020, Bordi i është drejtuar me email zyrtar OJQ BIRN për t’u bërë pjesë e monitorimit të procesit rekrutues, ku me datë 4 gusht 2020 kemi pranuar email zyrtar nga OJQ BIRN ku konfirmohet pjesëmarrja në procesin rekrutues.
“Arsyetimi për shkarkimin tonë nuk qëndron dhe si i tillë është i pa bazë, pasi që ne kemi ndjekur të gjitha procedurat ligjore për procesin e rekrutimit, si dhe rekomandimin e Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike dhe Ministrisë për Ekonomi dhe Ambient. Gjithashtu, duam të shtojmë që duke ju referuar ligjit për Ndërmarrjet Publike, nuk i lejohet Aksionarit të merret me këtë çështje. Sipas nenit 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, procedura e konkursit dhe përzgjedhja e zyrtarëve të lartë të ndërmarrjes janë kompetencë ekskluzive e Bordit të Drejtorëve”, thuhet në njoftim.
Ish-bordi i kësaj ndërmarrje shton se ndonëse aksionari mbikëqyr Bordin dhe mund të komunikojë drejtpërdrejt me drejtorët, neni 7 paragrafi 7.6 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike përcakton qartë: “Detyrimi për mbikëqyrje i themeluar me këtë nen nuk do të ushtrohet në një mënyrë që ndërhynë, ose ka për qëllim të ndërhyjë, në veprimtarinë ose pavarësinë e Bordit të Drejtorëve ose Komisionit të Auditimit të një NP.
“Ne duam të ju njoftojmë që prej datës së angazhimit tonë dhe deri në vendimin e Qeverisë për shkarkim, kemi mbajtur gjithsej tetë mbledhje të Bordit dhe katër të Komisionit të Auditimit duke marrë disa vendime gjatë kësaj periudhe me qëllim të daljes nga kriza financiare, stabilizimit të gjendjes financiare të saj dhe duke i dhënë një qasje të re qeverisjes së Ndërrmarrjes”, thuhet në komunikatë.
Ish-bordi i përkohshëm ka treguar vendimet që ka marrë:
Kemi marrë vendim për shkarkimin nga detyra të Ish-Kryeshefit Ekzekutiv duke ju referuar raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, raporteve të brendshme të auditimit si dhe vërejtjet e Aksionarit në Memorandumin shpjegues për vendimin e Qeverisë nr. 03/26 të datës 23 prill 2020. Gjithashtu kemi marrë vendim për të emëruar Ushtrues Detyre të Kryeshefit Ekzekutiv,
Kemi reviduar planin vjetor të Auditimit të Brendshëm për të identifikuar parregullësitë dhe shkeljet, duke ju dhënë prioritet çështjeve me rëndësi si menaxhimi i inkasimit dhe llogarive të arkëtueshme, departamenti i prokurimit, punësimet e reja, investimet kapitale dhe të tjera.
Është filluar në përgatitjen e një strategjie për zvogëlimin e llogarive të arkëtueshme të cilat në totalin bruto ishin mbi 12 milion Euro, janë shtuar aktivitetet e inkasimit të borxheve të vjetra,
Është inicuar krijimi i komisionit për Nivelizim të pagave,
Është inicuar krijimi i Komisionit per Sistematizimin e vendeve te punës,
Është bërë revidimi i plan biznesit duke planifikuar arritje në mbulueshmeri operative për vitin 2020, duke e bazuar edhe në situatën e fundit që është krijuar nga Pandemia.
Janë analizuar mundësitë e investimeve me qëllim të zgjerimit të zonës së shërbimit dhe rritjes se investimeve më qëllim të zvogëlimit të humbjeve,
Është inicuar kërkesa për realizimin e një marrëveshje me KEK për fshirjen e borxhit, dhe me qëllim që të mos arrihet falimentimi i ndërmarrjes, pasi që ishte në procedura përmbarimore nga mos respektimi i kontratës paraprake ku nga 300 mijë Euro sa do duhej të paguente Ndërrmarrja tani borxhi është rikthyer me ndëshkime dhe interes në vlerë afër 2 milion Euro.
Është inicuar kërkesë për gjetjen e një alternative për realizimin e një marrëveshje me ATK për fshirjen e dënimit të shqiptuar nga ATK në vlerë mbi 500 mijë euro në mënyrë që të mos bllokohen llogaritë bankare,
Është arritur mbulushmëria operative për herë të parë në Njësinë në Dregash, pas ndryshimeve të bëra nga Udhëheqësi i Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv në Njësinë e Dragashit,
Janë marrur aktivitete për leximin e orëve të ujit për të gjithë konsumatorët, e cila ndikon në rritjen e faturimit si dhe zvogëlimin e faturimit paushall.
Janë shtuar aktivitetet për zvogëlimin e ujit të pafaturuar,
Janë iniciuar çështjet ndaj menaxhmentit të kompanisë që të eliminohen dukuritë e inicimit të procedurave të pa planifikuara dhe të zvogëlohet apo minimizohet përdorimi i aktiviteteve apo blerjeve me kesh, etj.
“Duam të ju njoftojmë që para se ne të shkarkohemi nga Qeveria e tanishme, kemi pranuar draft raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019, raport i cili nuk kishte ndryshime nga vitet paraprake pasi që sërish opinioni auditorit ishte i kundërt”, thuhet në njoftim.
Ish-bordi i përkohshëm i drejtorëve të KRU “Hidroregjioni Jugor” Sh.A. në Prizren, ishte në përbërje të:
1. Ylber Elshani, Drejtor dhe Kryesues i Bordit
2. Altin Sahiti, Drejtor dhe Kryesues i Komisionit të Auditimit
3. Arieta Vula-Pozhegu, Drejtore
4. Edmond Halimi, Drejtor