Gratë ose burrat jashtëmartesorë, me para të Shtetit, do të kenë mundësi të shkojnë t’i shohin të dashurit e tyre në Hagë, në rast se ata do të ballafaqohen me akuzat e Gjykatës Speciale. Ky rregull është përcaktuar në Udhëzimin Administrativ për Mbështetjen e Nevojshme Financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në procesin gjyqësor pran Dhomave të Specializuara. Aty, është paraparë të shkojnë deri në 12 familjarë të ngushtë në kryeqytetin holandez ku është selia e Speciales.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, është kujdesur edhe për gratë dhe burrat jashtëmartesorë të të gjithë atyre që do të ballafaqohen me akuza nga Gjykata Speciale, shkruan Gazeta Express.
Pra, gratë ose burrat jashtëmartesor ndaj të cilëve mund të ngritën aktakuza nga Specialja do të mund të shkojnë t’i vizitojnë partnerët e tyre në Hagë me para të shtetit.
Në nenin 1, pika 1.1, Udhëzimin Administrativpër Mbështetjen e Nevojshme Financiare për anëtarët e “NGUSHTË TË FAMILJES” së personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në procesin gjyqësor pran Dhomave të Specializuara, ka paraparë se në kuadër të familjes së ngushtë hyn edhe gruaja ose burri jashtëmartesor.
“Anëtarët e ngushtë të familjes – në kuptim të këtij udhëzimi administrativ janë: bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët, fëmijët jashtëmartesor, fëmijët e adoptuar (birësuar), prindërit, vëllezërit, motrat, njerka, njerku, si dhe bashkëshorti/bashkëshortja jashtëmartesore”, shkruan në Udhëzimin Administrativ.
Kuvendi i Kosovës me rishikimin e buxhetit ka vendosur t’i ndajë 20 milionë euro për përkrahjen e personave që do të akuzohen nga Gjykata Speciale. Më herët ishin paraparë në buxhet 3.5 milionë. Këtë shtim të mjeteve e kishte kërkuar në seancë deputeti i AAK’së, Gazmend Abrashi. Edhe Shefi i deputetëve i PDK’së, Bedri Hamza kishte arsyetuar ndarjen e këtyre mjeteve. Kishte thënë se kjo shumë e ndarë nuk është shpenzim, por është planfikim dhe shpenzimi varet se si ndodhin ngjarjet.
“Kjo nuk është e vullnetit të mirë, urojmë që asnjë cent të mos shpenzohet nga kjo kategori, por me ardhë puna me ndodhë, ky është detyrim ligjor që e ka marrë shteti i Kosovës”, kishte thënë Hamza që ka qenë edhe ish-Ministër i Financave.
Deputetja e VV’së, Mimoza Kusari, kishte thënë në seancë se Kryeministri Hoti nuk ka pranuar të nënshkruajë Udhëzimin Administrativ me të cilin rregullohen pagesat për ata që do të ballagaqohen me Specialen.
Shefi i Qeverisë asnjëherë s’e ka sqaruar një pozicion të tillë pavarësisht se Udhëzimin është në fuqi ndërsa mjetet janë ndarë me vendim të Parlamentit.
Sidoqoftë, Gjykata Speciale ishte themeluar për t’i hetuar pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili kishte hartuar një raport me të cilin i përfshinte ish-udhëheqësit e UÇK’së në krime kundër njerëzimit deri te vrasjet politike të pasluftës.
Nga janari 2019 janë intervistuar më shumë se 200 persona, përfshirë ish-eprorë të UÇK-së, ish-deputetë, kryetarë komunash e qytetarë të thjeshtë.