Disa punëtorë të Telekomit të Kosovës kanë vazhduar të kenë qasje në të dhënat e kësaj ndërmarrje publike, pavarësisht ndërprerjes së kontratës apo ndryshimit të pozitës së punës. Mosndërprerja e qasjes në informacione për këta persona do të mund t’i kushtonte Telekomit me zbulim të informacionit, humbje financiare si dhe humbje të reputacionit.
Një gjetje e tillë është bërë në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për këtë ndërmarrje.
Në analizën e listës së punonjësve, të cilët kanë ndërprerë kontratën e punës me Telekomin dhe listës së përdoruesve aktiv në sistemet e informacionit që ka në shfrytëzim Kompania, Auditori ka vërejtur që ka llogari të punonjësve që janë aktiv në sistemet e informacionit, si dhe përdorues të cilëve iu është ndryshuar pozita e punës ndërsa të drejtat e qasjes në sistem nuk iu janë ndryshuar me pozitën që kanë.
“Menaxhmenti i Kompanisë ka aprovuar procesin dhe procedurën për ndryshimin/ndërprerja e qasjes në platformat teknike në shtator të vitit 2019. Departamenti i Burimeve Njerëzore( DBNJ), për rastet e ndërprerjes së kontratës së punonjësve me Kompaninë kishte njoftuar Departamentin Teknik, mirëpo menaxheri i sistemit CRM nuk ka pranuar asnjë kërkesë për ndërprerje të qasjes. Ndërsa për rastet e ndryshimit të pozitës së punës së punonjësve, DBNJ dhe departamenti përkatës të cilës i takon punonjësi nuk ka njoftuar Departamentin Teknik”, thuhet në raport.
Sipas Auditorit, përdoruesit të cilët janë aktiv dhe të cilët nuk kanë kontratë pune apo kanë ndryshuar pozitën e punës, rrezikojnë që të bëjnë aktiviteteve të qëllimshme të paautorizuara të cilat ndikojnë në funksionimin e sistemeve, zbulimin e informacionit, humbje financiare si dhe humbje të reputacionit të Kompanisë.
ZKA’ja rekomandon Bordin e kësaj ndërmarrje që të sigurojë që menjëherë pas ndërprerjes së kontratës t’iu ndërprehet qasja në përdorimin e sistemeve të informacionit.
“Bordi i Drejtorëve të sigurojë, që të drejtat e qasjes në përdorimin e sistemeve të informacionit të ndërprehen menjëherë për punonjësit, në momentin e ndërprerjes së kontratës apo të përshtaten me ndryshimet e përgjegjësive”, thuhet në raportin e ZKA’së. /Express/