Qeveria ndan mjetet për ekzekutimin e 100 eurove për punonjësit e sektorit privat

Euro

Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e së mërkurën ndarjen e 35 milionë eurove për zbatimin e masave për shtimin e mbështetjes për qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, qeveria në këtë mbledhje ka ndarë 35 mijë euro për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të masës për mbështetjen e sigurisë.

“Pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar dhe masën 4.4 – Mbështetja e sigurisë. Sipas vendimit janë ndarë 35 milionë euro për zbatimin e masave për shtimin e mbështetjes për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe 35 mijë euro për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të masës për mbështetjen e sigurisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë mbledhje elektronike po ashtu janë miratuar në parim kërkesat e ndërmarrjeve publike për huamarrje deri në 34 milionë e 275 mijë euro. Për KOSTT Sh.A. është aprovuar vlera e huamarrjes deri në 26 milionë e 500 mijë euro, ndërkaq për Telekomin e Kosovës Sh.A., 7 milionë e 775 mijë euro.