E ndikuar nga kriza e COVID-19, ekonomia e Evropës ka shënuar një rënie të fortë në tremujorin e dytë të vitit 2020.
Siç njofton Zyra evropiane e Statistikave, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, Prodhimi i Brendshëm Bruto, i rregulluar sezonalisht, është ulur më 13.9 për qind dhe në Eurozonë më 14.7 për qind, përcjell Telegrafi.
Sipas të dhënave të Eurostat, kjo ishte deri tani rënia më e madhe që nga që nga fillimi i serive kohore në 1995.
PBB-ja krahasuar me tremujorin e mëparshëm, u ul më 11.4 për qind në vendet e BE-së dhe më 11.8 për qind në Eurozonë.
Midis shteteve anëtare për të cilat ka të dhëna të disponueshme për tremujorin e dytë të vitit 2020, Spanja regjistroi rënien më të mprehtë të PBB-së krahasuar me tremujorin e mëparshëm më 18.5 për qind, ndjekur nga Kroacia më 14.9 për qind, Hungaria më 14.5 për qind, Greqia më 14 për qind, Portugalia më 13.9 për qind dhe Franca më 13.8 për qind.
Rëniet më të ulëta të PBB-së janë vërejtur në Finlandë më 4.5 për qind, Lituania më 5.5 për qind dhe Estonia më 5.6 për qind, pasuar nga Irlanda më 6.1 për qind, Letonia më 6.5 për qind dhe Danimarka më 6.9 për qind.
Numri i personave të punësuar në tremujorin e dytë të vitit 2020 krahasuar me tremujorin paraardhës, u ul më 2.9 për qind në Eurozonë dhe me 2.7 për qind në vendet e BE-së. Në tremujorin e parë të vitit 2020, punësimi ishte ulur me 0.2 për qind në BE dhe 0.3 për qind në Eurozonë.
Ndërsa ndikimi i pandemisë COVID-19 në punësimin ishte ende relativisht i moderuar për shkak të skemave të mbështetjes së qeverisë, rëniet në orët e punës ishin shumë më të theksuara. Orët e punës u ulën më 12.8 për qind në Eurozonë dhe më 10.7 për qind në vendet e BE-së.