Nesër votohet për të shtatën herë ligji që mundëson tërheqjen e 10 përqindëshit

Kuvendi i Kosovës

Nesër me fillim nga ora 10: 00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me qëllim të miratimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Kjo kërkesë për seancë të jashtëzakonshme është bërë nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi në emër të deputetëve nënshkrues, me këtë arsyetim: “Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij Projektiligji për t’i dalur në ndihmë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me gjendjen më të cilën po përballet e gjitha bota e edhe vendi ynë, është në interesin e qytetarëve e qytetarëve që ky Projektligj të votohet. Në këto kushte, ne, deputetët nënshkrues, kërkojnë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të shqyrtuar këtë çështje”.

Në listën e 62 nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme për votimin në parim të Projektiligjit për rimëkëmbjen ekonomike nga Lidhja Demokratike e Kosovës nënshkruan 27 deputetë, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 14 deputetë, nga NISMA-AKR 5 deputetë, nga Lista Serbe 10 deputetë dhe nga Grupi Parlamentar 6+, 6 deputetë nënshkruan.

Reklama e sponzorizuar

Në listën e nënshkrimeve të LDK-së  mungon nënshkrimi i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit.

Kujtojmë se kjo do të jetë hera e shtatë që do të dalë në votim miratimi i këtij Projektligji, pasi Kuvendi kishte dështuar që ta kalojë këtë projektligj.

Pas mbarimit të seancës së jashtëzakonshme, në ora 11:00 do të fillojë vazhdimi i seancës plenare.

Seanca pleanare do t’i ketë në rend të ditës këto pika:

1.    Votimi i Projektligjit nr. 07/L-034 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për transferimin e personave të dënuar,

2.   Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-029 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-089 për deminim humanitar,

3.   Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-018 për ndryshim plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete,

4.   Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.07/L-015 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës,

5.   Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për miniera dhe minerale për vitin 2019,
6.   Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2019,

7.   Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2019,

8.   Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2019,

9.   Interpelancë me Kryeministrin e Kosovës, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së sipas kërkesës së deputetes Besa Ismaili-Ahmeti, mbështetur edhe nga 8 deputetë të GP të PDK-së, në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në procesin e dialogut në Bruksel lidhur me punën e grupeve teknike./Buletini Ekonomik/