Për shkak se nuk janë mbështetur nga LVV-ja ka dështuar edhe miratimi i tri projektligjeve për tri marrëveshje ndërkombëtare.
Asaj ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit, Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe asaj për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan.
Hekuran Murati i LVV-së, parti kjo e cila nuk i ka mbështetur këto marrëveshje ndërkombëtare, ka thënë se kanë ngritur si shqetësim ngritjen e borxhit publik por edhe mosshfrytëzimin e kredive që po nënshkruhen e ratifikohen. Kjo shumë e kredive të pashfrytëzuara sipas tij ka arritur vlerën e 520 milionë eurove.
“Ato kredi krijojnë obligime shtesë, tarifa të zotimit dhe tarifa të tjera që janë identifikuar edhe në raportin e auditimit andaj në për këtë çështje kemi kërkuar një raportim të detajuar nga ministrja e financave në lidhje me mbështetjen ose jo të këtyre marrëveshjeve”, ka theksuar Murati.
Ai ka thënë se meqë nuk kanë pranuar një raportim të tillë, si grup nuk mund t’i mbështetshin këto marrëveshje.
Më shumicë votash është miratuar në parim i Projektligji për Peticione, ndërsa Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, nuk është hedhur në votim, pasi që kanë munguar shumica e deputetëve të minoriteteve, që duhen për kalim të ligjeve me interes vital. Nuk është votuar as Projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës.