Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ka mbajtur mbledhjen e tij, në të cilën ka raportuar Arben Limani, sekretar i sekretariatit të Bordit të Agjencisë Kosovare për Privatizim.
Limani para anëtarëve të Komisionit theksoi se Ligji i përcakton qartë detyrat që i ka Bordi dhe menaxhmenti i AKP-së.
“Unë mund të sqaroj që Bordi dhe menaxhmenti i AKP-së me Ligj i kanë të ndara detyrat e tyre. Të jem më konkret, Ligji parasheh që të gjitha kompetencat e AKP-së i ka Bordi i Drejtorëve që emërohet nga Kuvendi i Kosovës”, ka thënë ai.
I pyetur nga Komsioni se cfarë do të duhej të ndërmerrte Bordi në rast se në një proces janë hasur parregullësi. I njëjti tha se është në përgjegjësi të Bordit që të marr vendim për atë çështje.
“Nëse një vendim një cështje është ngritur në Bord dhe ka ardhur aty atëherë është përgjegjësi e tyre për të vendosur. Nëse ajo nuk ka ardhur në Bord atëherë duhet të shihet se në cilën shkallë ka mbetur çështja”, ka thënë ai.
Limani u pyet nga deputeti Bekë Berisha nëse ai është anëtari i ndonjë partie politike dhe se a ka hyrë në AKP përmes intervenimit të ndokujt nga politika.
I njëjti tha se nuk është pjesë e asnjë partie politike dhe se punësimi i tij në AKP nuk ka lidhje me askënd nga politika.
Limani foli edhe për shantazhet e mundshme politike në AKP, duke thënë se me dijëninë e tij, nuk është raportuar asnjë shantazh deri më tani, edhe pse tha se ai nuk mund të dëshmojë për të gjithë zyratërt që punojnë në AKP.
Nuk mundem me dëshmu për të gjithë zyrtarët e AKP-së por sa kam dijeni askush nuk ka lajmëruar për ndonjë shantazh politik”, ka thënë ai.
Anëtari i Komisionit, Bekë Berisha nga AAK-ja, e pyeti Limanin edhe për privatizimin e Armotizatorëve. Kurse Limani theksoi se ky privatizim ka qenë spin-off special, dhe se nuk ka qenë pjesë e tërë procesit.
“Rezervohem nga përgjigja konkrete sepse nuk kam qenë aty dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur. Duhet të shihen të gjitha kontratat dhe shitjet. Atëkohë nuk kam qenë në AKM”, u shpreh ai.
Pas kësaj përgjigje anëtarët e Komisionit vazhduan të insistonin edhe më tutje që të marrin një përgjigje nga Limani lidhur me këtë çështje, por Limani tha se ka qenë për një kohë pjesë e procesit por që nuk mund të flas pa data konkrete për një proces të kompletuar.
Ndërkohë deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyqi, e pyeti për shitjet e bëra nga AKP-ja dhe se a janë të sigurta dokumentet e shitjeve në AKP që kanë të bëjnë me negocimin e drejtëpërdrejtë.
Limani foli për procedurat e shitjes përmes këtij lloji, e ku po ashtu sqaroi edhe bazën ligjore. Ndër të tjera, Limani ka folur edhe për kuptimësinë e Ligjit për këto çështje dhe për aspektin diskriminues në to.
“Ligji i AKP-së dhe rregullativa e ka paraparë që të gjithë Ligjet që kanë hyrë në fuqi dhe që janë zbatuar në mënyrë diskriminuese janë konstatuar si të paligjshme. Unë nuk kam parë një proces në Kosovë që edhe pas shpalljes së pavarësisë e ka sqaruar kuptimësinë e këtij Ligji se cili është aspekti diskriminues i këtyre rasteve”, ka thënë tutje sekretari i AKP-së, Arben Limani. /Buletini Ekonomik/