Importi nga Serbia ka rënë për 99.5 përqind, është rritur nga Shqipëria e Maqedonia

Po bëhen tre muaj që kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e taksës 100 % ndaj mallrave serbe të importuara në Kosovë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci për rtv 21.tv, ka treguar se ka rënie të importit të mallrave nga Serbia për 99.5 përqind krahasuar me periudhat paraprake.

“Që nga ndalesa e deri tani kemi import rreth 700.000 mijë euro importe po aq kanë paguar edhe taksa pasi është 100%.”, ka thënë Stavilevci duke e shtuar se lënda e parë është ajo që importohet më shumë nga ky shtet.

Reklama e sponzorizuar

Ai tutje ka treguar se importi i mallrave është rritur nga shtetet fqinje, Shqipëria dhe Maqedonia.

“Kemi rritje të importeve nga Shqipëria me 40% si dhe nga Maqedonia me mbi 10%”, ka deklaruar Stavileci.

Ai po ashtu ka përjashtuar mundësinë e kontrabandimit të mallrave nga Serbia, duke thënë se nuk është vërejtur ndonjë tentim i tillë.

“Nuk kemi vërejtur rritje të tentimeve për kontrabandim”, ka thënë Adriatik Stavileci.

Vendosja e taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe, ka ngjallur shumë reagime. Kjo masë është kundërshtuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja. Kjo e fundit i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj që të heqë taksën në mënyrë që të vazhdojë dialogu Kosovë – Serbi. Kjo pasi që Serbia e ka kushtëzuar dialogun me heqjen e taksës.

Në anën tjetër kryeministri Haradinaj ka deklaruar se taksa nuk do të hiqet deri në momentin kur Serbia ta njohë Kosovën.

Rreth takës ka pasur reagime edhe nga spektri politik vendor. Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli i kanë kërkuar qeverisë pezullimin e taksës në mënyrë që të vazhdojë dialogu, mirëpo qeveria nuk po heq dorë nga vendimet e saj.