Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka reaguar sot në lidhje me një lajm të publikuar nëpër media se Trusti ka pësuar humbje milionëshe.
Përmes një komunikate për publikun, nga Trust-i thonë se aktualisht ky institucion është me rezultat pozitiv, madje mjaft të kënaqshëm.
Sipas kalkulimeve të tyre, deri më 6 nëntor 2020 Trust-i ka pasur rritje nga investimet prej 35 milionë euro për këtë vit. Ndërsa rritja e vlerës së mjeteve nga investimet prej themelimit ka shkuar në 518 milionë euro.
“Kjo nuk do të thotë që gjithnjë do të kemi rritje dhe kthim pozitiv, por vetëm duam ta sqarojmë opinionin që të mos bazohet në deklarata të pabazuara dhe të pavërteta, që edhe i dezinformojnë kontribuuesit edhe e dëmtojnë imazhin e institucionit”, thuhet tutje në komunikatë. /Buletini Ekonomik/
Postimi i plotë nga Trust-i:
Të nderuar kontribuues, ditë më parë është raportuar një lajm i rremë se Trusti ka pësuar qindra miliona humbje. I njëjti lajm është përsëritur edhe sot dhe është cituar edhe nga persona publik e media. Jua konfirmojmë se lajmi ka qenë krejtësisht i pavërtetë.
Trusti, në këtë moment, është me rezultat pozitiv mjaft të kënaqshëm. Deri më 6 nëntor 2020 kemi rritje nga investimet prej 35 milionë euro për këtë vit. Ndërsa rritje e vlerës së mjeteve nga investimet prej themelimit ka shkuar në 518 milionë euro. Kjo nuk do të thotë që gjithnjë do të kemi rritje dhe kthim pozitiv, por vetëm duam ta sqarojmë opinionin që të mos bazohet në deklarata të pabazuara dhe të pavërteta, që edhe i dezinformojnë kontribuuesit edhe e dëmtojnë imazhin e institucionit.











