“Vaksina 95% efektive kundër Covid-19 do t’i jepet vetëm Zvicrës por jo vendeve të BE-së”

Firma amerikane e zhvillimit të vaksinave Moderna po ushtron presion ndaj BE-së për nënshkrimin e shpejtë të kontratës që do t’i siguronte bllokut 80 milionë doza. Ky zhvillim vjen pak pasi firma njoftoi se vaksina që ka zhvilluar kundër koronavirusit rezultoi 94.5% efikase. Në miratohet brenda këtij viti dhe s’ka kontratë, vaksinën do ta marrë vetëm Zvicra.

Ndonëse vaksina e prodhuar nga firma amerikane Moderna rezultoi 94.5% efikase, mbetet e pasiguritë nëse Bashkimi Europian do të ketë qasje të shpejtë në të. Shefi i Modernas, Stéphane Bancel, është duke ushtruar presion ndaj Brukselit dhe ka kërkuar hapa konkretë.

Komisioni Europian ka zhvilluar bisedime intensive gushtin e kaluar me firmën amerikane për blerjen e 80 milionë dozave, por deri më tani nuk është nënshkruar ende një kontratë, transmeton oranews. Nga ana tjetër Moderna ka arritur marrëveshje paraprake me Kanadanë, Japoninë, Izraelin, Katarin dhe Mbretërinë e Bashkuar. Këtu nuk përfshihet edhe zotimi i bërë ndaj ShBA’së verën e kaluar për t’i dhënë 100 milionë doza.

Reklama e sponzorizuar

Ekzekutivi francez i laboratorit amerikan, ndërsa siguroi se sasia e premtuar nuk do të cenojë cilësinë, paralajmëroi se do të ketë vonesa.

Nëse vaksina autorizohet nga Agjencia Europiane e Mjekësisë brenda fundit të vitit dhe ende nuk është nënshkruar një kontratë me BE’në, dozat e para të prodhuara në Zvicër dhe të paketuara në Spanjë, do t’i jepen Zvicrës, Japonisë, Izraelit dhe Kanadasë, por jo BE-së.

“Sa më shumë që të vonohet nënshkrimi i kontratës, aq më shumë doza vaksinash do të dërgohen më parë në vende të tjera,” paralajmëroi Bancel.

Komisioni Europian e mbrojti strategjinë e ndjekur deri më tani në bisedime me firmat e vaksinave.

“Ne i filluam bisedimet me prodhuesit e vaksinave shumë herët, që para verës! Bisedimet po vazhdojnë paralel me prodhimin e vaksinës,” tha të martën zëdhënësi Eric Mamer në Bruksel, pa dhënë ndonjë afat për kohën e nënshkrimit të kontratës me Moderna’n.