Fondi Pensional i Kosovës ka njoftuar qytetarët se adresa www.trusti10.org, të cilën e kanë dizajnuar për aplikim për tërheqjen e 10%-shit, e kanë funksionalizuar pas mesnatës, dhe kontribuuesit që nuk kanë aplikuar deri tani do të mund të aplikojnë tek kjo adresë.
Por, edhe adresat e tjera, që janë publikuar mbrëmë për aplikim, dhe përmes të cilave janë realizuar mbi 230 mijë aplikime deri në mëngjes, vazhdojnë të jenë aktive dhe mund të aplikohet në to.
“Për të gjitha çështjet e tjera teknike me llogaritë bankare jemi duke u marrë, dhe për disa tashmë kemi gjetur zgjidhje, e ditëve në vijim do t’ju njoftojmë për çështjet e tjera që janë shfaqur në konfirmimin e llogarive bankare”, thonë nga Trusti.
Trusti po ashtu bën me dije se janë edhe dy javë për të aplikuar për pagesat e dhjetorit, si edhe tre muaj të tjerë në fillimvitin 2021 (deri më 6 prill 2021 kur mbyllet afati i aplikimit), ndërsa çështjet teknike me llogari thonë se besojnë se do t’i zgjedhin brenda pak ditësh. /Buletini Ekonomik/











